75 Mall Live Search
10:14 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / b l

198 ndërmarrje në Kosovë përfitojnë 8.9 milionë euro nga KIESA

198 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme kanë nënshkruar marrëveshjen përfituese nga MINT-i përmes skemave të KIESA-s. Përkrahja totale për to përfshin shumën prej 8.9 milionë euro.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dha detaje për degëzimin e skemave, përmes së cilave janë mbështetur këto biznese.

“Këto 198 ndërmarrje janë përfituese nga 3 skema të granteve nga KIESA. E para është skema për mbështetjen e ndërmarrjeve prodhuese me potencial për eksport për blerjen e makinerive prodhuese, 129 ndërmarrje përfituese me vlerë financiare prej 7.3 milionë euro. Qëllimi i kësaj skeme mbështetëse është për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në sektoret prioritare industriale dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre me produkte me vlerë për tregun ndërkombëtar”, ka thënë Kurti.

Skema e dytë është për ndërmarrjet në sektorin e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit dhe përfshin mbështetjen për 42 ndërmarrje me vlerë 1 milion euro. Ndërkaq skema e tretë është për certifikimin e produkteve me 27 biznese me shumën 600 mijë euro.

“MINT-i mbetet e përkushtuar në përkrahjen e vazhdueshme të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe start-up-i në Kosovë. Së bashku me ju, mbështetjen nga qeveria, nga partnerët, synojmë rritjen ekonomike të barabartë dhe forcimin e eko sistemeve të inovacionit”, ka thënë Rozeta Hajdari, ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.