75 Mall Live Search
22:09 / E Hënë, 09 Mars 2026 / L A

Bisseck provokon pas humbjes: Pranoj t’i humbasë dy ndeshjet ndaj Milanit, për ta fituar Scudetton

Mbrojtësi i Interit, Yann Bisseck, është i fokusuar tek objektivi kryesor, duke insistuar se do ta pranonte me kënaqësi humbjen e të dy ndeshjeve derbi të Milanos nëse kjo do të thoshte festim i Scudettos.

“Nerazzurrët” tani janë shtatë pikë në krye të tabelës së Serie A, por diferenca kishte qenë 10 pikë deri në humbjen 1-0 të mbrëmshme ndaj rivalëve të qytetit.

Milani nuk i kishte fituar të dy edicionet e “Derby della Madonnina” në një sezon të vetëm të Serie A që nga sezoni 2010-11, kur në fund fituan edhe titullin nën drejtimin e Max Allegrit.

Këtë sezon ata i fituan të dy përballjet me Interin me rezultat 1-0, gjë që u jep të drejtën për t’u mburrur, por Bisseck mbetet i fokusuar tek objektivi final.

“Nëse ka një ndeshje që duam ta fitojmë, ajo është derbi dhe nuk kemi arritur ta bëjmë këtë për dy vite,” pranoi mbrojtësi në një event bamirësie këtë mbrëmje.

“Megjithatë, nëse në fillim të sezonit do të më thoshit se do t’i humbim dy derbe, por më pas do ta fitojmë Scudetton, atëherë do ta pranoja”, shtoi ai.

Titulli ende nuk është i sigurt, pasi Interi ka një avantazh prej shtatë pikësh me edhe 10 ndeshje për t’u zhvilluar.

“Ky është një avantazh i mirë, por 10 javë janë shumë dhe ne ende kemi punë për të bërë”, vazhdoi ai.

Bisseck ishte përfolur për një transferim në Premierligë verën e kaluar, ndaj u pyet nëse është i kënaqur me interesimin që pritet të vijë sërish.

“Kur luan mirë, ka shumë klube që të duan, por unë jam i përqendruar tek Interi”, e mbylli ai.