75 Mall Live Search
20:22 / E Diele, 30 Qershor 2024 / AR

Dogana e Kosovës morri pjesë në seancën vjetore të Këshillit të OBD-së

Dogana e Kosovës mori pjesë në Sesionin vjetor të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), një ngjarje e rëndësishme ku morën pjesë drejtorët e përgjithshëm të doganave të vendeve antare. OBD si një organ global i përkushtuar për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin e administratave doganore në mbarë botën, luan një rol vendimtar në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare dhe nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve anëtare.

Gjatë seancës, Sekretari i Përgjithshëm i OBD-së Zt. Ian Saunders prezantoi zbatimin e planit strategjik, pasuar nga prezantimi i Sekretariatit të një plani gjithëpërfshirës të modernizimit të organizatës. Ky plan modernizimi adreson çështje kyçe të funksionimit efikas të organizatës dhe si i tillë ka marr përkrahjen e Doganës së Kosovës.

Në sesion gjithashtu u diskutuan pikat kyçe në ndërtimin e kapaciteteve, me fokus në rolin e doganave në sigurinë kombëtare. Gjithashtu u mbajtën diskutime të gjera mbi çështjet e tarifave dhe tregtisë, pajtueshmërisë nga akterët e tregtisë së jashtme, lehtësimin e tregtisë dhe zbatimin e ligjit. U trajtuan gjithashtu çështjet e qeverisjes brenda OBD-së, me iniciativa të ndryshme që morën miratim nga anëtarët.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Llugaliu, në margjinat e takimit pati takime produktive me disa drejtorë të përgjithshëm nga vende të tjera, duke i hapur rrugë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive. Këto takime rezultuan në dakordim për aktivitetet vijuese për të forcuar partneritetet dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira.

Në proces gjithashtu u votua me aklamacion për vazhdimin e kryesimit të regjionit të Evropës nga Norvegjia, vendim ky i cili u mirëprit nga Dogana e Kosovës me synimin për angazhim për bashkëpunim për të mirën e Doganës së Kosovës dhe OBD-së.

“Dogana e Kosovës është e përkushtuar për të zbatuar standardet dhe praktikat më të mira të diskutuara gjatë seancës së Këshillit të OBD-së”, duke njohur mundësitë për të avancuar inovacionin dhe efikasitetin në operacionet tona, për të kontribuar në përpjekjet globale për të lehtësuar tregtinë legjitime dhe për të garantuar sigurinë kufitare.