14:56 / E Enjte, 18 Prill 2024 / MSH

Eurodeputeti Reuten e quan “provokim të rrezikshëm” arrestimin e policëve kosovarë në Serbi

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, e ka quajtur fëmijërore, të parashikueshme dhe të rrezikshme qasjen e autoriteteve serbe në ditët e fundit, sidomos pas arrestimit të policëve kosovarë.

Ai ka thënë se zëvendësdrejtori Jankoviq duhet të lirohet menjëherë.

“Provokime të parashikueshme, fëmijërore dhe të rrezikshme nga autoritetet serbe. Zëvendës shefi i policisë së Kosovës Jankoviq është ende në paraburgim. Ai duhet të lirohet menjëherë. Ne e dimë këtë model të përshkallëzimit dhe po ashtu të frikësimit të qytetarëve serbo-kosovarë dhe duhet ta ndalojmë atë” ka shkruar Reuten në “X”.

Indeksonline raporton se 4 nga 5 të arrestuarit nga autoritetet serbe, janë liruar.

“Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes ndaj suksesit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës. Ndërkaq keqtrajtimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës është po ashtu akt i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë. Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta identiteti në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Marrëveshjen Bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh e për fqinjësi të mirë” deklaroi sot kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë.