75 Mall Live Search
19:50 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / L A

FVK sjell sistemin VAR në volejbollin kosovar

Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) është pajisur zyrtarisht me sistemin modern Video Challenge, duke shënuar një moment historik për zhvillimin e volejbollit në vend.

Me këtë investim, FVK bëhet federata e parë në rajon që implementon këtë teknologji të avancuar në garat elite.

Sistemi Video Challenge përfaqëson një risi të rëndësishme në volejbollin modern, duke mundësuar rishikimin e aksioneve vendimtare dhe duke rritur ndjeshëm saktësinë e vendimeve të gjyqtarëve, transparencën dhe drejtësinë sportive.

Përdorimi i këtij sistemi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e ndeshjeve.

Ky projekt është realizuar falë financimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Sistemi Video Challenge do të përdoret në ndeshjet e nivelit të lartë dhe në përballjet më të rëndësishme që zhvillohen në Kosovë.

Me këtë hap strategjik, Federata e Volejbollit e Kosovës vazhdon të konfirmojë rolin e saj si një federatë që avansohet, e përkushtuar ndaj inovacionit, zhvillimit dhe rritjes së cilësisë së volejbollit kosovar.