12:02 / E Martë, 30 Prill 2024 / L K

Hoxha: Këshilli i Etikës provoi me i shpërla plagjiatorët, ngacmuesit dhe shkelësit e Kodit etik

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim organizoi një aksion protestues kundër Këshillit të Etikës, duke bërë siç tha koordinatori i ORCA-s, Dibran Hoxha përurimin e monumentit të Këshillit të Etikës një lavatriçe.

Ata kanë vendosur një lavatriçe të prishur si simbolik për punën e Këshillit të Etikës.

Dibran Hoxha nga kjo organizatë ka thënë se fajet për gjendjen në UP i ka edhe Qeveria.

Kjo lavatriçe e ndryshkur, e lodht, e thyme, e zbrazët, që nuk mundet me i kry më funksionet e veta, që nuk lan por fëlliq, njëjtë, edhe Këshilli i Etikës për vite me radhë provoi me i shpërla plagjiatorët, ngacmuesit dhe shkelësit e tjerë të Kodit Etik dhe integritetit akademik në Universitetin e Prishtinës”, tha Hoxha.

Hoxha, kritikoi edhe Selim Bezerajn duke e cilësuar si plagjiator.

“Për plagjiatorin tjetër, i cili është në krye te Universitetit (në mënyrë absurde në Këshillin Drejtues), plagjiatorin Selim Bezeraj, lavatriçja po mundohet ta luajë budallën, duke u arsyetu që meqë plagjiatura e tij ka ndodhë në Universitetin e Tiranës, lavatriçja nuk paska mundësi të marrë vendim për të. Njerëz pa fije turpi, pa fije integriteti personal e moral, që ndytësisht shërbejnë si lavatriçe, mendojnë se na e hedhin me arsyetime banale si këto”, tha Hoxha.

Ai shtoi se vendimi për suspendimin e profesorit Xhevat Krasniqi, ishte një lloj drame nga UP-ja.

“Ditëve te fundit lavatriçja e ndryshkur e UP-së, pasi shkaktoi dramë nacionale duke mos marrë vendim për përjashtim të ngacmuesit kronik e masiv Xhevat Krasniqit, i cili u denoncua nga 27 studente e studentë, u mundua ta çojë në gjyqësorin joefikas të Kosovës rastin për ta përfunduar si procedurë në UP. Lavtriçja harron se nuk ka të bëjë me mediokrët të cilëve u shërben në Universitetin e Prishtinës. Mendoi se ne të gjithë jemi budallenjë dhe nuk e kuptojmë që ka shkelur rregulloren e cila në mënyrë tekstuale thotë të kundërtën e veprimit të Lavatriçes dhe majstorit të saj rektorit, Qerim Qerimi”, tha ai.