75 Mall Live Search
14:11 / E Martë, 14 Tetor 2025 / L A

Infantino premton ndihmë për Gazan, thotë se shpejt do të kthehet futbolli atje

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është zotuar të ndihmojë në rindërtimin e infrastrukturës së futbollit në Rripin e Gazës, e cila ka pësuar shkatërrime të tmerrshme nga bombardimet izraelite gjatë dy viteve të fundit.

“Kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme për FIFA-n, ne do të jemi në dispozicion për të ndihmuar dhe për të siguruar që procesi i paqes të japë fryte. Roli i futbollit është të bashkojë, të japë shpresë dhe të jetë një mbështetje”, tha Infantino gjatë samitit të paqes në vendpushimin egjiptian të Sharm El-Sheikh.

Infantino shtoi se FIFA do të ndihmojë në rikthimin e futbollit si në Gaza ashtu edhe në territorin e gjerë palestinez.

Megjithatë, FIFA ende nuk ka marrë një vendim për pezullimin e Izraelit, edhe pse Shoqata Palestineze e Futbollit e kërkoi atë vitin e kaluar duke përmendur sjelljen diskriminuese të klubeve atje.

“Sinqerisht, nuk e di në çfarë faze është kjo kërkesë. E di se si është çështja me departamentin tonë ligjor, por ende nuk kam parë ndonjë analizë. Supozoj se do t’i përcillet komitetit për vendime të mëtejshme kur gjithçka të jetë gati”, tha nënkryetari i FIFA-s, Victor Montagliani./IndeksOnline/