09:36 / E Enjte, 25 Prill 2024 / k.v

Kërkohet paraburgim për ish-ofiqarin e arrestuar në Ferizaj, e kishte regjistruar turkun ilegalisht në sistem

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i krimeve të rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale B.XH., ish- zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit penal të Republikës së Kosovës. 

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit mars të vitit 2019 në Ferizaj, si person zyrtar, konkretisht zyrtar i lartë në Zyrën e Gjendjes Civile në Ferizaj, ka keqpërdorur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për gjendjen civile numër 04/L-003, personin M.K., shtetas turk, e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në Komunën e Ferizajt, duke i mundësuar që të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe patentëshofer, me këtë do të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I pandehuri, me vendim të Prokurorit të shtetit, që nga data 23 prill 2024, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur./IndeksOnline/