13:47 / E Enjte, 18 Prill 2024 / S Z

Kurti: Serbia është shtet mafioz, mungesa e sanksioneve e ka trimëruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mungesa e sanksioneve nga faktori ndërkombëtar përkrah Serbisë e ka trimëruar agresivitetin e saj.

Kurti ka përmendur ndalimin e policëve të Kosovës dhe qytetarëve të tjerë në pikat kufitare me Serbinë si veprime “të një shteti mafioz” si Serbia.

“Po të kishte sanksione ndaj Beogradit kur u rrëmbyen tre policët tanë ose kur u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku sot nuk do ishim në këtë gjendje. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë dhe uroj që ky trimërim i agresivitetit që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re në të cilin do të kuptohet që Kosova është shtet demokratik, respekton të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia është praktikisht shtet mafioz”, ka deklaruar Kurti, raporton Dukagjini.

“Besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën e presidentit Vuçiq në kazermën ushtarake në Beograd, të shtunën që shkoi pikërisht kur u bën 10 muaj nga rrëmbimi i policëve tanë si dhe në ditëlindjen e repartit “Kobra”, repart që i kishte rrëmbyer policët tanë. Shtet mafioz, ku kryemafiozi ëshë njeriu më publik atje, është presidenti”, ka vijuar Kurti.