10:42 / E Premte, 03 Maj 2024 / k.v

Lirohet nga akuza për vrasje në tentativë, rasti kishte ndodhur më 2000

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka liruar Sheremet Bajramin nga akuza për vrasje në tentativë në Skenderaj në vitin 2000.

Aktgjykimi ndaj Sheremet Bajramit u shpall, më 11 mars 2024 nga gjykatësi Drilon Haraçia.

Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, për të cilën akuzohet.

Shpenzimet e procedurës bien mbi barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës.

Ndërkaq, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar (familjarët e të dëmtuarit B.M., tani i ndjerë), janë udhëzuar në kontest civil.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bajrami, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e kishte pranuar fajësinë, ndërsa në mbrojtjen e tij në shqyrtimin gjyqësor ka deklaruar se do ta shfrytëzojë të drejtën dhe do të mbrohet me heshtje.

Tutje në aktgjykim thuhet se trupi gjykues ka vlerësuar me shumë kujdes të gjitha provat të cilat janë administruar gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor dhe të njëjtat i vlerësojë një nga një dhe në lidhshmëri njëra me tjetrën nuk ka mundur ta vërtetojë gjendjen faktike ashtu siç është akuzuar i akuzuari.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, tani Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzën më datë 04 dhjetor 2007, ndaj të akuzuarit Sheremet Bajrami nga Skenderaj, për shkak të veprës penale vrasje në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se me datën 30 mars 2000, rreth orës 23:45 minuta, në Skenderaj, në lokalin “Journal” pronë e të dëmtuarit

S.L., pas një fjalosje me të dëmtuarin B.M., i njëjti ka shkuar me automjetin e vet të parkuar para lokalit është armatosur me armë gjysmë automatike të markës “Kallashnikov” (RPK) të cal.7.62 mm, dhe i vetëdijshëm se mund ta privon nga jeta tjetrin, pasi që në vendin kritik ka pasur qarkullim të madh njerëzish, disa herë ka shtënë në drejtim të dëmtuarit B.M., derisa ky po qëndronte pas automjetit të markës “. . . 3” me NN auto targa pronë e të dëmtuarit F.M., dhe “. . .” . . me NN auto targa pronë e të dëmtuarit I.L., mirëpo i dëmtuari arrin që të fshehët pas këtyre automjeteve dhe predhat nuk e godasin pastaj intervenojnë qytetarët që ta pengojnë që të mos vazhdojë me të shtëna dhe vepra ka ngel në tentativë.

Me çka kishte për të kryer veprën penale, Vrasje në tentativë nga neni 30 al.1 LPK-së, lidhur me nenin 19 të LPJ-së.