11:15 / E Mërkurë, 24 Prill 2024 / k.v

RrGK-ja thotë se të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares iu shqiptua dënim minimal

RrGK-ja shpreh shqetësim të madh në lidhje me denimin e ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur “shqetësim të madh për dënimin e ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë” për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

RrGK-ja thotë se gjykata ka shqiptuar minimumin e dënimit dhe këtë e kanë vlerësuar “skandaloze dhe të papranueshme”.

“Vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 227, paragrafi 7, është e dënueshme me burgim së paku 10 vjet. Në këtë rast, gjykata ka shqiptuar minimumin e denimit, gjë që e vlerësojmë si skandaloze dhe të papranueshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një rast i tillë.”

“Ne si shoqëri, përfshirë Rrjetin e Grave të Kosovës, shprehim një shqetësim të thellë në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunimit nga institucionet e drejtësisë. Është thelbësore që gjykatat të kuptojnë peshën dhe ndikimin e këtyre rasteve në shoqëri dhe të ndërmerren veprime me seriozitet dhe dinjitet në trajtimin e tyre.”

RrGK-ja ka shtuar se dënimet minimale shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë.

“Dënimet minimale që shqiptohen për këto vepra shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë pasi ato duket të jenë në favor të autorëve të krimit dhe jo në mbrojtje të viktimave. Kjo situatë i dekurajon viktimat e dhunës për të raportuar rastet e tyre dhe e bën më të vështirë për ta gjetur besimin në sistemin e drejtësisë.”

“Rrjeti i Grave të Kosovës do të vazhdojë të monitorojë reagimin institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe të angazhohet për të siguruar mbështetje dhe drejtësi për viktimat e këtyre veprave të tmerrshme. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe ndihmë për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800.”

Dje Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 62 vjet burgim gjashtë të akuzuar për dhunimin e 11 vjeçares – një me 12 vjet, ndërsa pesë të tjerë me nga 10 vjet.

“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç. I akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.