10:34 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

2.6 milionë më pak turistë në Shqipëri, gjatë verës

Thuhet se sezoni turistik është mbyllur me një bilanc negativ të krahasueshëm me atë përpara viteve 2000.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në 3 muajt që kanë prurjen më të lartë të fluksit të turistëve në Shqipëri, qershor, korrik dhe gusht, nxjerr afërisht 2 milionë e 600 mijë më pak turistë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu, numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar vendin Shqipërinë në 8 muaj të këtij viti është ulur me 63%, ndërsa vetëm për gushtin turizmit vendas i mungojnë afro 1 milion turistë.

Në këtë periudhë të pandemisë turizmi vendas është mbajtur në këmbë vetëm nga qytetarët brenda Shqipërisë, si edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

Pavarësisht kësaj, të dhënat e INSTAT-it tregojnë një tablo të errët edhe për hyrjet nga këto shtete. Nga Kosova kanë hyrë 54% më pak turistë, nga Maqedonia e Veriut 40% më pak dhe nga Greqia 76% më pak se një vit më parë.

Shumica e vizitorëve kanë zgjedhur të hyjnë në vendin tonë përmes pikave kufitare tokësore, ndërsa ardhjet nga deti dhe ajri janë ulur përkatësisht me 75 dhe 60%.