12:26 / E Premte, 23 Tetor 2020 / OSH

Bien nga sistemi, 2 blloqet e KEK-ut, bordi jashtë vendit

Kanë rënë nga sistemi dy blloqe të termocentralit “Kosova B”. Derisa ai B1 është në revizion, e që bëhet çdo vit sipas planifikimit, B2 pas mesnatës ka pasur rrjedhje e probleme teknike, e cila nga ekspertët është vlerësuar se duhej të dilte jashtë funksionit.

Kështu ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i KEK-ut Skënder Bucolli.

Ai ka sqaruar se gjendja pritet të rregullohet gjatë ditës së nesërme.

“Ne vetëm jemi duke operu me dy njësi të “Kosovës A”, ndërsa Blloku B1 është në revizion që bëhet çdo vit dhe është ndalje e planifikuar, ndërkohë që blloku B2 pas mesnatës ka pasur disa rrjedhje e probleme teknike. Në këtë rast ekspertët e kanë vlerësuar që duhej të dilte jashtë kontrollit dhe pritet që të kthehet gjatë ditës së nesërme”, tha Bucolli për IndeksOnline.

Ai, ka sqaruar se qytetarët nuk rrezikojnë të mbesin pa energji elektrike, pasi që KEDS-i është i obliguar të blejë energji në mënyrë që të mos ketë mungesa të saj për konsumatorët.

Bucolli ka bërë të ditur po ashtu se në bazë të një marrëveshjeje që posedojnë me Korporatën Energjetike të Shqipërisë (KESH),për shkëmbim të energjisë elektrike, kanë marrë nga ta 100 megavatë.

E aktualisht Kosova është në mungesë të 120-150 megavateve deri nesër, sqaron Bucolli.

IndeksOnline ka mësuar se ka pasur shembje në minierë gjatë marrjes së qymyrit, për çka Bucolli theksoi se shembja nuk ka ndodhur në vendin ku po kryhen punimet.

Nga ana tjetër Bordi i KEK-ut aktualisht ndodhet në një punëtori jashtë vendit.

 Ndryshe si pasojë e daljes nga funksioni të këtyre dy blloqeve, qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa ngrohje./IndeksOnline/