75 Mall Live Search
11:47 / E Mërkurë, 22 Qershor 2022 / B O

20 universitete nga mbarë bota zbarkojnë në Kosovë për Kupën Botërore në Hendboll

Rreth 500 studentë dhe përfaqësues të sportit universitar, nga mbi 20 universitete nga mbarë bota do të zbarkojnë në Kosovë, ku do të garojnë për titullin e të parit në hendbollin universitar.

Kupa organizohet nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, nën ombrellën e Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar (FISU).

Me këtë rast, ministri i Ministrisë Për Kulturë, Rimi dhe Sport (MKRS), Hajrulla Çeku, tha se organizimi i një ngjarje të tillë kaq madhore është tregues për shkallën e lartë të dinamizmit nëpër të cilin po kalon sporti në vendin tonë.

Sipas tij, kjo nuk do të jetë ngjarja e vetme ndërkombëtare sportive në Kosovë gjatë këtij viti sepse përmes federatave të tjera, është duke u punuar që të jemi nikoqirë edhe të shumë evenimenteve të tjera sportive.

I pari i MKRS-së theksoi se kjo tregon edhe punën e një qeverisjeje të mirë edhe në fushën e sportit dhe se do të vazhdohet me përkushtim maksimal puna që sporti të jetë njëra nga shtyllat kryesore për promovimin e shtetit tonë.

Shumë i kënaqur me organizimin e kësaj ngjarje të madhe sportive u shpreh edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ai tha se pjesëmarrja e katër kontinenteve në këtë ngjarje që organizohet në Kosovë, tregon se edhe pse jemi shtet i ri, dimë dhe mundemi që të organizojmë ngjarje të mëdha.

Ai tha se komuna do të jap mbështetjen e saj për mbarëvajtjen e këtij evenimenti në mënyrë që gjithçka të shkoj si është më së miri.

Rama shtoi se së bashku me Federatën e Hendbollit janë përkujdesur që të ketë hapësira të mjaftueshme banesore për akomodimin e të gjithë këtyre mysafirëve që do të vijnë nga mbarë bota.