08:45 / E Martë, 02 Janar 2018 / indeksADMonline

2017-ta vulosi fatin e zi të “Grupit të Kumanovës” (Video/Foto)

9 dhe 10 maji i vitit 2015 u shënuan si ditë të zeza në kalendarin maqedon. Për dy ditë me rradhë, në Lagjen e Trimave në Kumanovë nuk pushuan gjuajtjet me armë mes një grupi të armatosur dhe pjesëtarëve të policisë. Nga aty, humbën jetën gjithsejtë 18 persona, prej tyre 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa u plagosën 4 të tjerë.

Lidhur me rastin, Gjykata penale e Shkupit që nga shkurti i vitit 2016 ka gjykuar 37 persona të të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës” për veprën “terrorizëm”.  Kurse, më 2 dhe 3 nëntor të vitit 2017 u është shpallur dënimi me burg 33 pjesëtarëve të këtij grupi, deri sa 4 të tjerë janë liruar nga të gjitha akuzat, shkruan Indeksonline.

(Pamje nga konflikti në Lagjen e Trimave, Kumanovë)

Nga 33 të dënuarit, 8 prej tyre u është shqiptuar burg i përjetshëm. Ata janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Beqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajramaj, Fejzulla Rushotovski dhe Sylejman Osmani.

Me 40 vjet burg janë dënuar: Sami Ukshini, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Mustafi, Fatmir Reçica, Enver Hoxha, Rufki Dogani dhe Genc Sefaj, shkruan Indeksonline.

Prej 10 deri në 20 vjet burg janë dënuar: Qenan Isni (20 vjet), Fadil Elshani (20 vjet), Lirim Demiri (20 vjet), Hajrush Abdija (20 vjet), Lendrit Rustemaj (20 vjet), Mirsat Qrimi (20 vjet), Ragmi Latifi (18 vjet), Irfan Lutfiu (14 vjet), Seadudin Abdullai (14 vjet), Arsim Bajrami (13 vjet), Elham Arifi (13 vjet), Musadik Pajaziti (12 vjet) dhe Ebib Aliji (12 vjet).

I menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatëve të “Grupit të Kumanovës” të cilët kanë kërkuar hetim ndërkombëtarë. Kështu pati deklaruar për “Indeksonline” avokati Naser Raufi. Ai edhe përgjatë gjykimit dhe qëndrimin në burg të pjesëtarëve të këtij grupi, kishte deklaruar se nuk i beson gjyqësorit në Maqedoni dhe e ka akuzuar atë për mungesë të provave.

(Pamje nga konflikti në Lagjen e Trimave, Kumanovë)

Reagime ka pasur edhe në Kosovë, ku kryeministri Ramush Haradinaj në një protestë që kishin zhvilluar familjarët e të dënuarve në Prishtinë, u kishte premtuar atyre se do ketë hetim ndërkombëtarë.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri maqedon Zoran Zaev, i cili gjatë një vizite në Prishtinë me Haradinajn ka deklaruar se do të nisë procesi për një hetim të tillë.

Pritjet e palës mbrojtëse të të dënuarve janë që puna e hetimeve të nis qysh në muajin janar./Indeksonline/R.Rexhepaj/