10:08 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

2018, vit i sfidave, kështu e sheh zgjidhjen Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi  për vite me radhë pavarësisht pozitës udhëheqëse në të cilën ishte premtoi fuqishëm arritjen e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Viti 2017 tashmë u mbyll pa një arritje për të cilën Thaçi e gjithë politikanët e vendit u shprehën shumë të bindur se do të përfundojë këtë vit.

Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi në një intervistë të dhënë për Indeksonline, ka thënë se çështja e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës është në fazën përfundimtare .

Thaçi po ashtu ka ripërsëritur bindjen e tij lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ku shtoj se është e drejtë e saktë dhe e konfirmuar nga disa komisione vendore e ndërkombëtare.

Sipas Thaçit, dialogu Kosovë-Serbi është mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit të Kosovës.

Indeksonline: Nisma e deputeteve të Kuvendit të Kosovës është kritikuar ashpër nga partnerët strategjikë të Kosovës. A e mbështesni këtë nismë të deputetëve?

Hashim Thaçi: Iniciativa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës është një alternativë, por assesi nuk është ikje nga drejtësia. Kjo duhet të jetë e qartë. Unë e kam lexuar draft-kërkesën e deputetëve. Nuk është një kërkesë që e sfidon drejtësinë apo që e rrezikon atë, por është alternativë që mundëson trajtimin e të gjitha krimeve të luftës në Kosovë. Kështu ka ndodhur me të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, si në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi. Deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe iniciativa e tyre është kushtetuese, ligjore dhe e rregullt proceduralisht. Nisma të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën. Prandaj, çdo vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës unë e respektoj, do ta kryej obligimin dhe do ta nënshkruaj. Unë qysh në vitin 2015, e kam vlerësuar padrejtësi historike krijimin e Gjykatës Speciale. Sikurse të ishte një iniciativë kundër drejtësisë, i pari do të isha kundër.

Indeksonline: Një ndër temat më të shpeshta që diskutohet nga politika është edhe transformimi i FSK-së në FAK, çka mendoni ju, pse nuk po ndodhë ky transformim, ku qëndron pengesa?

Hashim Thaçi: Ndër prioritetet kryesore në këtë vit që po e lemë, ka qenë vazhdimi i punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen që procesi i themelimit të FAK-ut të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tjerë strategjikë. Kosova gjatë vitit 2018 do të ketë kapacitetet e veta mbrojtëse, pra një ushtri moderne që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë.

Indeksonline: U bë dhe vazhdon të bëhet shumë zhurmë sa i përket marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje kjo që nuk po votohet në Kuvend dhe kosovarët kanë mbetur të izoluar, cila është zgjidhja sipas juve?

Hashim Thaçi: Marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi është e drejtë, e saktë, e konfirmuar nga disa komisione vendore e ndërkombëtare dhe e mbështetur fuqishëm nga partneret strategjikë të Kosovës, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Kushti i BE-së për Kosovën ka qenë i padrejtë, por edhe mos ratifikimi i kësaj marrëveshje nga Kuvendi i Kosovës është i pajustifikueshëm. Prandaj, muaji janar është momenti i fundit që ne të gjejmë një konsensus dhe të ratifikojmë këtë marrëveshje. Vetëm atëherë i japim fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Indeksonline: Viti i ardhshëm do të jetë edhe vit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, a do të këtë vendime të vështira në këtë proces?

Hashim Thaçi: Dialogu nuk ka alternativë dhe është mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet tona fqinje. Tani jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga SHBA-ja. Sigurisht se kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë. Për ketë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një Grup të Unitetit për të siguruar gjithë përfshirje në këtë proces. Kosova ka fituar sa herë që ne jemi bashkuar dhe qytetarët tanë na kanë mbështetur./Indeksonline/