2019-ta, viti i “shpërthimit” të sportit kosovar në arenën ndërkombëtare

Viti 2019 na zuri në “qiellin e shtatë” pas fitores së një muaji më herët ndaj Azerbejxhanit 4:0 me c’rast fituam grupin në Ligën D të “Nations League” dhe siguruam pjesëmarrjen në fazën e play-off të këtij formati, fituesi i të cilit kualifikohet direkt në Kampionatin Evropian.
Megjithatë, shpresonim që “Dardanët” ta kryenin punën qysh në eliminatore, ku duhej të përballeshim me ekipe si Anglia, Çkia, Mali i Zi e Bullgaria, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Serisë prej 10 ndeshjeve pa humbje iu shtua edhe barazimi me fuqinë Evropiane, Danimarkën në miqësore para ndeshjeve kualifikuese.
Kosova pastaj vazhdoi edhe me katër ndeshje pa humbje, prej të cilave dy barazime (Bullgarinë dhe Malin e Zi) pastaj dy fitore tjera ndaj Çekisë e Bullgarisë, për ta ndërprerë serinë e 15 ndeshjeve pa humbje nga superfuqia botërore, Anglia, kombëtare të cilës ia shënuam plot tre gola “midis” Anglisë.
Mposhtëm më pas Malin e Zi, por dështuam në dy ndeshjet “jetike” ndaj Çekisë dhe Anglisë ku pësuam humbje dhe u mbyll njëra derë për t’u kualifikuar për herë të parë në Evropian, për t’i lënë vend Ligës së Kombeve, ndeshje të cilat zhvillohen në fund të marsit.
Megjithatë, Kosova doli më fituese se cdo kombëtare tjetër. I treguam botës që në këtë vend moti rrokullisej topi dhe padrejtësisht ishim lënë shumë vite jashtë instancave më të larta të futbollit, FIFA-s e UEFA-s.
Treguam gjithashtu se si bëhej mikpritja, duke zënë titujt e mediumeve më të famshme angleze e evropiane dhe duke treguar nivel të lartë kulturor, duke e bërë Kombëtaren e Anglisë dhe tifozët e saj të ndihen si në shtëpinë e tyre.
Edhe në konkurencën e femrave, futbolli kosovar la gjurmë të pashlyeshme. Vashat mitrovicase shkruan historinë duke u kualifikuar për herë të parë në Ligën e Kampionëve pasi fitoi tri ndeshjet në grup, edhe pse fillimisht u konsiderua autsajderja e grupit.
Pa dyshim që përveq futbollit që ishte ambasador i vendit në botë, xhudoja si cdo vit tjetër edhe këtë herë ishte shtylla e suksesit të sportit kosovar në botë.
Gjatë tërë vitit 2019, xudistët kosovarë rrëmbyen gjithsej 36 medalje gjatë Evropianëve, Botërorëve, Grand Slam-ëve të ndryshëm e Kampionatëve për junior.
Prej tyre, 17 medalje kanë qenë të arta, 9 të argjendta dhe 10 të bronzta.
Majlinda Kelmendi si cdo vit është “bajraktari” i suksesit të Kosovës në xhudo duke arritur 5 medalje, prej tyre 4 të arta e 1 të bronztë në Botërorin e xhudos.
Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Nora Gjakova gjithashtu janë aty në nivel të Majlindës në kategoritë e tyre.
Distria Krasniqi fitoi gjithsej 5 medajle: 2 të arta, 2 të argjendta dhe një të bronztë.
Loriana Kuka fitoi 4 medalje: 1 të artë, 2 të argjendta dhe 1 të bronztë.
Nora Gjakova fitoi 3 medalje: 1 të artë e dy të argjendta.
Kujtojmë se këto medalje janë arritur në garat më prestigjioze evropiane e botërore.
Medalje gjatë këtij viti fituan edhe: Flaka Loxha, Laura Fazliu, Akil Gjakova, Erza Muminoviq, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi, Korab Morina, Selim Berisha, Fisnik Hyseni dhe Andi Artani.
Në anën tjetër, sporti i boksit dhuroi 5 medalje në Kampionat Ballkanik në fund të vitit 2019.
Një e artë, dy të argjendta dhe dy të bronzta ishte bilanci i pesë boksierëve që morën pjesë në ballkaniadën që u mbajt në Antalia të Turqisë.
Donjeta Sadiku e artë, Shpetim Bajoku, Besart Pireva të argjendtë, Patriot Behrami dhe Bashkim Bajoku medalje të bronzta.
Por kjo nuk ishte e gjitha cfarë dhuroi sporti i boksit. Më 12 gusht, boksierja Erinda Veliu fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U-14 në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Sporti i Taekwondos la gjithashtu gjurmë në këtë vit duke siguruar 9 medalje në Kampionatin Ballkanik.
Kombëtarja e Kosovës në Taekwondo me grupmosha të ndryshme u kthye me 9 medalje nga Kampionati Ballkanik, i mbajtur në shtator në Samokov të Bullgarisë.
Nga 35 garues, nëntë prej tyre u kthyen me medalje. Pjesëmarrës në këtë kampionat ballkanik ishin 653 garues nga 12 shtete pjesëmarrëse.
Sportistët të cilët fituan medalje në këtë kampionat ishin: Sylejman Vizdiklar, kadet -41kg, medalje e artë, Rejan Tershani, child -52kg, medalje e argjendtë, Elion Agushi, kadet -45kg, medalje e bronztë. Arkton Zekaj, kadet -61kg, medalje e bronztë, Elton Avdullahu, kadet -65kg, medalje e bronztë, Eron Brahimi, junior -68kg, medalje e bronztë, Tringa Krasniqi, senior -57kg, medalje e bronztë, Don Berisha, senior +87kg, medalje e bronztë, Sara Kastrati, senior -46kg, medalje e bronztë.
Muhamet Ramadani fitoi dy medalje gjatë vitit 2019 në hedhjen e gjylës. Fillimisht në shkurt, Ramadani fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Ballkanik që u mbajt në Stamboll të Turqisë, ndërsa ishte i artë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, “Baku 2019”.
Kombëtarja e Kosovës U-21 në hendboll shkroi historinë gjatë vitit 2019. Ajo u bë kombëtarja e parë e Kosovës që kualifikohet në një Kampionat Botëror.
Në konkurencën e femrave, Kombëtarja e Kosovës në hendboll u rendit në pozitën e 28 nga 49 vendet në Evropë.
Sporti i karatesë e mbylli vitin 2019 me një medalje të bronztë nga Kampionati Botëror për grupmoshat U-21. Karateistja Albulena Gërvalla ishte fenomenale duke u renditur e treta në Botërorin që u mbajt në Aalborg të Danimarkës.
Kosova gjithashtu debutoi me sportin e karlingut në arenën ndërkombëtare, madje duke arritur edhe një fitore.
Basketbolli nuk i solli suksese Kosovës gjatë këtij viti, por në punën me të rinj u lavdërua edhe nga FIBA. Gjatë vitit 2019, u mbajtën dy Kampionate në Kosovë.
Kosova ishte nikoqire e Kampionatit Evropian Divizionit B (U20) në konkurrencën e femrave dhe e Kampionatit Evropian Divizioni C (U16).
Me të gjitha këto suksese, mund të themi se viti 2019 ishte një vit shumë i frytshëm për Kosovën sa i përket sportit, ndërsa mbesim me shpresë se këto suksese të përsëriten e të rriten gjatë vitit 2020./Indeksonline/