206 zyrtarë publik nuk e deklaruan pasurinë, pritet të merren masa ndaj tyre

Agjencia Kundër Korrupsionit (AAK), ka bërë të ditur se 206 zyrtarë nuk i janë përgjigjur kërkesës për deklarim të pasurisë, edhe pse afati ligjor ka përfunduar.
“Bazuar në të dhënat më të fundit të siguruara gjatë verifikimit nga departamentet përkatëse, aktualisht rezultojnë 206 zyrtarë që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarim të pasurisë”, ka thënë për Ineksonline zëdhënësi i AKK-së Kreshnik Llabjani.
Ai ka theksuar se procesi i verifikimit po vazhdon, prandaj kjo shifër është preliminare dhe mund të ndryshojë deri në përmbylljen e fazës përfundimtare të verifikimit.
Siç parashihet me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurive dhe Dhuratave, në Kosovë janë disa kategori të zyrtarëve të lartë të cilët janë të detyruar të deklarojnë pasurinë.
Sipas tij sipas të dhënave aktuale që janë preliminare, deri më tani janë 10,129 zyrtarë që kanë dorëzuar deklarimin vjetor të pasurisë për vitin 2024.
Sipas legjislacionit në fuqi, mosdeklarimi në kohë i pasurisë deri në 15 ditë nga afati ligjor sjell si pasojë shqiptimin e gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës mujore të zyrtarit.
Por, nëse vonesa tejkalon 15 ditë, atëherë Agjencia përgatit kallëzim penal, pasi që kjo përbën vepër penale e sanksionuar me dispozitat e Kodit Penal që mund të rezultojë me gjobë, burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin.
Pas verifikimeve përfundimtare, të cilat pritet të përfundojnë në ditët në vijim, Agjencia do të fillojë shqiptimin e gjobave për të gjithë zyrtarët që nuk e kanë kryer deklarimin sipas afatit ligjor.
Në këtë kontekst, theksojmë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit tashmë ka kërkuar nga të gjitha institucionet përkatëse të dhënat për pagën e muajit mars, pasi kjo do të shërbejë si bazë për llogaritjen e gjobave për zyrtarët që kanë dështuar të deklarojnë pasurinë.
Ai po ashtu tha se deklarimet e pasurisë publikohen në ueb-faqen zyrtare të Agjencisë dhe bëhen publike pas përfundimit të fazës së verifikimit. “Nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së planifikuar, të dhënat pritet të publikohen gjatë javës së ardhshme. Agjencia do të njoftoj mediet dhe opinionin publik në ditën e publikimit.”, tha Llabjani.
Korniza ligjore që rregullon procesin e Deklarimit të Pasurisë dhe punën e APK-së nuk parasheh ndonjë afat shtesë për deklarim të pasurisë pa pasoja juridike./Indeksonline/