16:04 / E Enjte, 17 Nëntor 2022 / LB

21 nëntori po afron, a do t’i dëgjoj qeveria këshillat e faktorit ndërkombëtar për targat

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse përfundimisht do të vazhdohet me vendimin për çështjen e targave, a po do t’i dëgjoj këshillat e faktorit ndërkombëtar për të pezulluar këtë vendim, së paku për disa muaj.

I pyetur nga Indeksonline përkitazi me këtë çështje, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përpraim Kryeziu nuk ka dhënë detaje, por ka kërkuar që për ketë temë t’i referohemi përgjigjes së djeshme të zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli  beson se qeveria e ka një strategji konform situatës së krijuar.

Ai për Indeksonline thotë se nuk i takon shumë deputetëve me i komentu veprimet taktike të qeverisë.

Megjithatë, thekson se është më rëndësi se ka një aktivizim dhe vendosmëri të faktorit ndërkombëtar dhe se qeveria duhet t’i vlerësoj drejtë rrethanat e krijuara.

Kujtojmë se qeveria e Kosovës pasi vendosur që të  “shkallëzoj” zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Me vendimin e qeverisë janë vendosur disa afate për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Sipas qeverisë nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, ndërsa nga data 21 nëntor e deri më 21 janar do të filloj masa e gjobitjes.

Serbët kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë në forma të ndryshme në rast se fillohet me shqiptimin e gjobave./Indeksonline/