21-vjeçari nga Kosova ekstradohet në Mbretëri të Bashkuar, do të dalë në gjyq si i akuzuar për 2 vrasje atje

21-vjeçari nga Kosova, Lorik Lupqi, është ekstraduar nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar. Kështu ka bërë të ditur Policia e Mbretërisë së Bashkuar përmes një njoftimi për media më 13 nëntor 2024.
Ndaj Lupqit rëndojnë akuzat për vrasjen me thikë të dy personave, 15- vjeçarit, Leonardo Reid dhe 23-vjeçarit Klevi Shekaj në qershorin e vitit të kaluar.
Lupqi, gjithashtu akuzohet për tentativën e vrasjes së një personi tjetër të plagosur në të njëjtin incident.
Policia britanike ka njoftuar se Lupqi u ekstradua nga Kosova pasi detektivët, punuan me autoritetet kosovare, Agjencinë Kombëtare të Krimit [NCA] dhe Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës [CPS] për të koordinuar kthimin e tij. Data e gjykimit është caktuar për 17 mars 2025.
Katër persona të tjerë janë akuzuar tashmë si pjesë e këtij hetimi. Që të katër janë aktualisht në paraburgim.