75 Mall Live Search
13:00 / E Mërkurë, 15 Janar 2020 / indeksADMonline

21-vjetori i Masakrës së Reçakut, përmes fotografive

21 vjet më parë, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, shkruan IndeksOnline.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak, u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.

Masakra e Reçakut, kujtohet për çdo vit, ku qytetarë të shumtë, familjarë të dëshmorëve e liderë institucionalë, vijnë për homazhe në këto varreza ku 21 vjet më parë ishte kryer një masakër e madhe e cila mori vëmendjen e botës.

Edhe këtë vit u bënë homazhe në varreza të Reçakut.

Ajo që vlen të theksohet, është numri masiv i vizitorëve sot në Reçak, i cili nuk ishte parë më herët.

Numri i madh i vizitorëve sot në Reçak, duket se ishte një përgjigje kundër presidentit serb, i cili Masakrën e Reçakut e quajti si “krim të fabrikuar”.

Madje ai e quajti ish-shefin e misionit vëzhgues të OSBE-së, William Walkerin, si “mashtruesi me flokë të bardha”, duke thënë se Reçaku ishte një ngjarje e falsifikuar nga ai.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtures”, kishte thënë Vuçiq.

Masakra e Reçakut ishte dëshmia më e madhe e terrorit serb mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare në Kosovë atëkohë.

IndeksOnline ju sjell përmes fotografive, shënimin e 21-vjetorit të Masakrës së Reçakut. /IndeksOnline/