75 Mall Live Search
14:05 / E Hënë, 22 Qershor 2020 / indeksADMonline

22 vjet burgim të akuzuarit për krime lufte, në Krushë të Vogël

lajmi-fundit-indeksonline

I akuzuari për krime lufte, Darko Tasiq, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Ndaj Tasiqi9t u shqiptua dënimi unik prej 22 vjetësh burgim, raporton “Betimi për drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani.

Për pikën e parë të aktakuzës, Tasiqi u dënua me 7 vjet burgim, kurse për atë të dytën me 15 vjet burgim.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, kishte kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiqi akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, kishte marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe paraushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sende të tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat e tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël, raporton “Betimi për drejtësi”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij kishte kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që ai të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv.