22 vjeçari humbi jetën derisa po punonte në një pompë derivatesh
22 vjeçari, Krenar Jemeni nga fshati Mushtisht i komunës së Suharekës humbi jetën sot gjatë orarit të punës, pasi nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve të marra.
Rasti në fjalë u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, ku ndër të tjerash u theksua se tashmë është hapur një rast për vdekje të dyshimtë.
“Rreth orës 11:00 në Stacionin Policor në Graçanicë është hapur një rast për një vdekje të dyshimtë. Sipas raporteve te para rasti ka ndodhë në një kompani private ku në rrethana akoma të pasqaruara një person/mashkull (1997) ka humbur jetën në vendin e tij të punës”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.
Beka ka bërë të ditur se i riu ka humbur jetën përderisa po punonte në një pompë derivatesh dhe se deri të vdekja ka ardhur gjatë pastrimit të rezervuarve të naftës.
“Deri te rasti ka ardhur kur punëtori me inicialet K.J, duke pastruar hapësirat ku mbahen derivatet është kapur nga makina me ç’rast si pasojë e ka humbur jetën.”ka thënë Beka.
Ndërsa pompa e derivateve thuhet të jetë në dalje të Prishtinës, saktësisht në drejtim të komunës së Lipjanit.
Ndryshe duhet përkujtuar që janë të shumta rastet kur të rinj humbin jetën në vendin e punës, e rrallë herë dikush merr përgjegjësi për incidentet e tilla./Indeksonline/