75 Mall Live Search
10:19 / E Hënë, 24 Mars 2025 / k.v

26 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë – Kryetari Memli Krasniqi: Një histori suksesi e lirisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar sot 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar atë si një histori suksesi të lirisë dhe demokracisë. 

“26 vjet më parë, bota e lirë i doli zot historisë. Në një moment vendimtar për popullin tonë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli ynë po luftonin kundër gjenocidit të pushtuesit serb, NATO-ja ndërhyri në Kosovë”, theksoi Krasniqi. 

Ai kujtoi marsin e vitit 1999, kur aleanca më e fuqishme ushtarake ndërhyri për të ndalur makinerinë serbe të krimit dhe për ta larguar përgjithmonë pushtuesin nga Kosova. 

“Sot, 26 vjet më pas, Kosova është një shtet i lirë dhe sovran, një histori suksesi e lirisë dhe demokracisë në rajon”, tha ai, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë arritje historike. 

Në këtë përvjetor, Krasniqi kujtoi dëshmorët e rënë për liri, duke përçuar respektin dhe ngushëllimet për familjet e tyre. 

“Mirënjohje e përjetshme NATO-s dhe të gjithë atyre që qëndruan në anën e duhur të historisë. Falë ndërhyrjes së saj, Kosova është e lirë, dhe liria jonë është e përhershme”, përfundoi ai.