75 Mall Live Search
19:00 / E Premte, 21 Nëntor 2025 / MSH1

26 vjet SHKK, drejtori Dibrani vlerëson progresin historik dhe synon reforma të mëtejshme

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar sot 26-vjetorin e themelimit, një datë që shënon jo vetëm historinë e këtij institucioni, por edhe transformimin e tij të dukshëm gjatë viteve të fundit.

Në ceremoninë zyrtare, drejtori i përgjithshëm Ismail Dibrani u shpreh se SHKK-ja ka kaluar një rrugëtim sfidues, por jashtëzakonisht të suksesshëm, sidomos prej vitit 2023 kur ai mori drejtimin e institucionit.

Dibrani theksoi se SHKK-ja është shndërruar nga një strukturë bazike – në një institucion modern dhe profesional, plotësisht të harmonizuar me standardet ndërkombëtare më të avancuara.

Ai vuri në pah arritjet e tre viteve të fundit në fushën e sigurisë, investimet në teknologji dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit, shkruan IndeksOnline.

“Në qendër të vizionit tonë mbetet rehabilitimi dhe riintegrimi. Vetëm gjatë tre viteve të fundit, mbi 1,800 persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe rehabilituese dhe psiko-sociale, ndërsa për herë të parë kemi lista pritjeje, dëshmi e qartë e besimit të shtuar në këto programe dhe e drejtimit të duhur të reformës sonë” u shpreh ai.

Ky është postimi i plotë i tij:

Është nder i veçantë për mua që sot, së bashku me ju, shënuam 26-vjetorin e themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës institucion të cilin kam pasur privilegjin ta udhëheq që nga prilli i vitit 2023.

Ky përvjetor na kujton një rrugëtim sfidues, por jashtëzakonisht të suksesshëm, përmes të cilit SHKK-ja është shndërruar nga një strukturë bazike në një institucion modern, profesional dhe plotësisht të harmonizuar me standardet më të avancuara ndërkombëtare.

Gjatë tre viteve të fundit, kemi shënuar përparim të madh në fushën e sigurisë: falë ngritjes së kapaciteteve profesionale të stafit, investimeve teknologjike dhe menaxhimit proaktiv.

Paralelisht, kemi investuar pa ndalur në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit, duke fuqizuar kulturën e profesionalizmit, etikën e punës dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Sot, SHKK-ja qëndron më e fortë dhe më e përgatitur se kurrë.

Në qendër të vizionit tonë mbetet rehabilitimi dhe riintegrimi. Vetëm gjatë tre viteve të fundit, mbi 1,800 persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe rehabilituese dhe psiko-sociale, ndërsa për herë të parë kemi lista pritjeje, dëshmi e qartë e besimit të shtuar në këto programe dhe e drejtimit të duhur të reformës sonë.

Ky angazhim u kurorëzua me Çmimin e Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve, si dhe me anëtarësimin e SHKK-së në EuroPris, duke e pozicionuar vendin tonë mes sistemeve më të avancuara korrektuese në Evropë. Këto suksese tregojnë se politikat dhe praktikat tona janë tërësisht në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare.

Për këtë progres të jashtëzakonshëm, falënderimi im më i thellë shkon për partnerët tanë të çmuar: Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, EULEX-in, Ambasadën e SHBA-së, Këshillin e Evropës, OSBE-në, UNICEF-in, Avokatin e Popullit, KMDLNJ, QKRMT-në, si dhe të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare.

Mirënjohje të veçantë ndaj stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe stafit të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, për përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin e tyre të palëkundur.

Le të vazhdojmë të ndërtojmë një sistem korrektues ku dinjiteti njerëzor mbetet parimi kryesor. Jemi krenarë për arritjet tona, por edhe më shumë për vizionin që po ndërtojmë së bashku për të ardhmen.

Urime 26-vjetori i themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës!

Me përkushtim, guxim dhe profesionalizëm, do të vazhdojmë të shënojmë suksese edhe më të mëdha në vitet që vijnë.