75 Mall Live Search
18:07 / E Enjte, 25 Nëntor 2021 / MSH

27 të mbytur në Kanalin Anglez, kalimet e emigrantëve nuk ndalen

Dhjetëra emigrantë kanë ndërmarrë rrezikun të kalojnë Kanalin Anglez, një ditë pas mbytjes së 27 personave në këtë vendkalim.

Një grup njerëzish të veshur me jelekë shpëtimi ishin grumbulluar përpara varkës transportuese sot në mëngjes.

Një ditë më parë, në po të njëjtin kanal, u mbytën 17 burra e shtatë gra, përfshirë një grua shtatzënë si dhe tre fëmijë, raporton BBC.

Sipas ministrit të brendshëm të Francës, Gerald Darmanin, pesë persona janë arrestuar në lidhje me këtë kalim fatal, ndërsa prokurorët rajonalë tashmë kanë nisur hetimin si vrasje e rëndë.

Darmanin tha se dy të mbijetuar nga ky incident ishin duke u trajtuar për hipotermi të rëndë në një spital francez. Njëri prej tyre është irakian, ndërsa tjetri somalez.

Gjendja alarmante u lajmërua pasi ekuipazhi i një anije peshkimi pikasi disa persona në det në brigjet e Francës.

Deputeti anglez, Damian Collins, tha se më shumë vdekje do të ndodhin në Kanalin Anglez nëse patrullat franceze nuk rriten.

Ai thotë se “nuk e blen” argumentin se është shumë e vështirë për t’u bërë.

Në anën tjetër deputeti francez, Pierre-Henri Dumont, tha se nuk do të ishte praktike të pritej që më shumë oficerë policie të patrullojnë vijën bregdetare në Francë, sepse vija bregdetare është shumë e madhe.