75 Mall Live Search
14:35 / E Hënë, 22 Shtator 2025 / KV

27 vjet dhimbje e krenari për Fehmi e Xhevë Lladrovcin, vjen një mesazh nga Ramiz Lladrovci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kujtuar sot 27-vjetorin e rënies heroike të vëllait të tij, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij, heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Në një mesazh të ngarkuar me emocion e krenari, ai ka theksuar se idealet dhe sakrifica e tyre mbeten udhërrëfyes për brezat që vijnë.

“27 vjet dhimbje e krenari. Feha e Xheva, bashkë në jetë, bashkë në përjetësi. Ata na udhëzuan se cila ishte rruga e lirisë, rruga e fitores, rruga e nderit me përkushtimin e pathyeshëm atdhetar. Vitet, dekadat dhe shekujt do të kalojnë, ndërsa liria jonë do të matet me flijimin epik që ia dhuruan kombit. Idealet e tyre jetësohen me punë të ndershme, fuqizimin e shtetit e barazi para ligjit”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka kujtuar gjithashtu edhe dëshmorët tjerë që ranë më 22 shtator 1998: Fatime Hetemin, Shefqet Zekën, Behxhet Karaxhën, Milazim Karaxhën dhe Hamit Lladrovcin.

“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, Shefqet Zekës, Behxhet Karaxhës, Milazim Karaxhës dhe Hamit Lladrovcit! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, përfundoi ai.

Kujtimi për këta heronj mbetet i përjetshëm në historinë dhe ndërgjegjen kombëtare, si shembull i sakrificës më sublime për lirinë e Kosovës.