28-vjeçari kapet në flagrancë në Thumanë, kultivonte kanabis në serë

Një tjetër rast i kultivimit të kanabisit është zbuluar nga Policia e Shtetit, kësaj radhe në fshatin Thumanë të Krujës, ku një i ri përfundoi në pranga pasi u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli të imtësishëm në terren dhe me mbikëqyrje ajrore përmes dronëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë zbuluan një serë të improvizuar ku ishin kultivuar bimë të dyshuara si kanabis.
“Kapet në flagrancë në serën ku kishte kultivuar bimët narkotike dhe vihet në pranga 28-vjeçari. Ky shtetas ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje”, thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë.
I dyshuari, i identifikuar si F. A., banues në Thumanë, është kapur teksa kujdesej për bimët, të cilat më pas janë asgjësuar nëpërmjet djegies.
Ndaj tij janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore, ndërkohë që hetimet për rastin vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.