21:44 / E Martë, 06 Prill 2021 / AR

28-vjeçari ndërron jetë pasi policia e detyroi të bënte 300 squats

Një 28-vjeçar nga Filipinet ndërroi jetë pasi dyshohet se u detyrua nga policia e fshatit të kryente një ushtrim 300 herë si një dënim për shkeljen e karantinës së koronavirusit, tha familja e tij.

Darren Manaog Peñaredondo u kap duke blerë ujë të pijshëm pas orës 18:00, gjoja në kundërshtim me shtetrrethimin për Covid në qytetin General Trias, në provincën Cavite, raporton Rappler. Provinca është nën “statusin e zgjeruar të karantinës së komunitetit” që përfshin një shtetrrethim nga ora 6 pasdite deri në 5 të mëngjesit.

Partnerja e Darren, Reichelyn Balce, tha për Rappler se Darren dhe një burrë tjetër që gjithashtu pretendohej se kishte shkelur kufizimet e Covid u “sollën në Plaza Malabon para sallës së komunës. Dhe më pas, atyre iu tha që të bënin pompa 100 herë” të enjten e javës së kaluar.

Mendohet se autoritetet i detyruan që të përsërisnin ushtrimet nëse nuk ishin në sinkronizim dhe në fund i detyruan të bënin disa ushtrime të ngjashme me squats (ushtrime ulje-ngritje), 300 herë, shkroi Reichelyn në një postim në Facebook.

Darren arriti në shtëpi në orën 8 të ditës tjetër dhe mezi mund të lëvizte pa ndihmë sepse ishte shumë i lodhur, shkroi ajo. Darren i tha partneres se kishte rënë “disa herë” gjatë kryerjes së ushtrimeve. “Gjithë ditën u mundua të ecte, por thjesht zvarritej,” shkroi ajo. Më vonë atë ditë, filloi të kishte kriza dhe zemra iu ndal. Ai u përmend për pak kohë, por vdiq rreth orës 22:00.”

Shefi i policisë së qytetit, nënkolonel Marlo Nillo Solero, tha për Rappler se nuk kishte një dënim të tillë për njerëzit që shkelnin kufizimet e Covid. “Në vend të kësaj, ne kryejmë leksione,” tha ai. Kryetari i qytetit, Trias Antonio Ferrer, konfirmoi në një deklaratë në Facebook se po zhvillohej një hetim.