75 Mall Live Search
11:00 / E Enjte, 22 Janar 2026 / H F

28-vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari, Gucati: Po më duket i kemi lënë në harresë familjet e dëshmorëve

Në 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku kanë bërë nderime te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Nga aty kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati foli për sakrificën e familjes Jashari dhe flijimin e tyre për lirinë e popullit shqiptar, por thekson se familjet e dëshmorëve janë lënë pak në harresë.

“Familja Jashari dhe gjitha familjet e dëshmorëve të kombit e meritojnë çdo ditë me u respektu jo vetëm në këtë ditë. Ne dimë që familja Jashari që nga viti 1991, deri në rënien e tyre e kane flijuar çdo gjë, jo vetëm pasurinë por edhe jetën e tyre. Me 1998 janë plagosur edhe dy vajza, vajza e bacë Rifat dhe Hamzës dhe njëra është dëshmore dhe Iliriana ka shpëtu dhe ka kriju familje. Kjo familje dhe gjitha familjet meritojnë shumë respekt, por më duket që pak i kemi lënë në harresë, jo vetëm familjen Jashari por të gjitha familjet e dëshmorëve”, tha ai.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla tha se nderuan ata që nuk u thyen kurrë.

“Sot jemi në përvjetorin e dytë që i bëhet familjes Jashari pas atij të parit që ishte më 30 dhjetor 1991. Sot kemi ardhur me i nderu ata që nuk u thyen kurrë pas asnjë sulmi. As atij të parit, as të dytit, po edhe atij të tretit që ndodhi më 6, 7, 8 mars”, nënvizoi Syla.