29 vatra zjarri ende aktive në Shqipëri, mbi 1 mijë e 100 forca në terren

Gjatë 48-orëve të fundit, Shqipëria është përballur me një situatë të vështirë për shkak të përhapjes së zjarreve në disa qarqe të vendit.
Megjithatë, falë përpjekjeve të mbi 1 mijë e 100 forcave të emergjencave, të ndihmuar edhe nga mbi 400 pjesëtarë të FA-së, situata po paraqitet më e stabilizuar mëngjesin e sotëm.
Ministria e Mbrojtjes në bilancin që ka publikuar bën me dije se janë raportuar gjithsej 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 mbeten ende aktive, me përqendrim të lartë në qarqet: Vlorë, Berat, Dibër, Elbasan dhe Tiranë, shkruan A2CNN-i.
Forcat zjarrfikëse, efektivët e Forcave të Armatosura, autoritetet vendore dhe strukturat mbështetëse kanë ndërhyrë me intensitet të lartë në zonat më të prekura, duke përdorur mbi 65 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë të FA-së dhe mbështetje ndërkombëtare nga Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në disa raste, është bërë edhe evakuimi i banorëve për të shmangur humbje në njerëz, si në Gramsh dhe Delvinë ku situata arriti pikën kritike mbrëmjen e së martës.
Ndërsa në terren vijon lufta për izolimin dhe shuarjen e vatrave, strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë, duke monitoruar me kujdes çdo zhvillim.