75 Mall Live Search
22:30 / E Shtunë, 24 Janar 2026 / L A

Ferrari zbulon makinën e sezonit 2026, nis epoka e re teknike për ‘kokëkuqen’ në Formula 1

Aventura e Ferrarit për sezonin 2026 ka nisur zyrtarisht. Në pistën e Fioranos, “kokëkuqja” hoqi mbulesën nga SF-26, njëvendëshja e 72-të e ndërtuar për Kampionatin Botëror të Formulës 1, e cila shënon fillimin e një epoke teknike krejtësisht të re për skuadrën nga Maranello.

SF-26 është projektuar për t’u përshtatur me rregulloret e reja të FIA-s, që parashikojnë makina më të lehta, aerodinamikë tërësisht të rishikuar dhe një gjeneratë të re njësish fuqie. Debutimi i saj vjen në prag të Çmimit të Madh të parë të sezonit, i cili do të zhvillohet më 8 mars në Australi.

Nga pikëpamja inxhinierike, SF-26 përfaqëson një shkëputje të qartë nga e kaluara e afërt.

Shasia heq dorë nga koncepti i efektit tokësor, duke adoptuar një filozofi të re të bazuar në efikasitet maksimal, ulje peshe dhe menaxhim më inteligjent të energjisë.

Loic Serra, drejtori teknik i shasisë së Ferrarit, theksoi kompleksitetin e këtij projekti ambicioz:

“Zhvillimi i SF-26 ka kërkuar një përshtatje të plotë ndaj një kuadri rregullator krejtësisht të ri. I kemi kushtuar shumë kohë fazës konceptuale për të kuptuar dhe shfrytëzuar sa më mirë kontekstin e ri normativ dhe teknik”.

Serra nënvizoi gjithashtu se integrimi i aerodinamikës aktive përbën një nga elementët kyç të dizajnit të ri, duke e bërë SF-26 një nga makinat më inovative të viteve të fundit.

Edhe nga ana estetike, Ferrari ka zgjedhur të kthejë një kapitull historik.

SF-26 shënon rikthimin e bojës me shkëlqim, pas shtatë sezonesh me përfundim mat.

Ngjyra e bardhë, tradicionale në historinë e Ferrarit, merr një rol qendror në zonën e kokpitit dhe në kapakun e motorit, duke krijuar një kontrast të fortë dhe modern vizual.

I njëjti koncept kromatik reflektohet edhe në kostumet e reja të pilotëve, ku e bardha përfshin qafën dhe shpatullat, duke përforcuar identitetin e ri vizual të skuadrës për sezonin 2026.