Përurohet memoriali i dëshmorëve në Vrellë të Istogut

Në fshatin Vrellë të Istogut është përuruar memoriali i ri i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ceremoninë përuruese morën pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Komunës së Istogut Ilir Ferati dhe ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Dukagjinit, tani lider i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Presidentja Osmani ka thënë se ky memorial do të mbetet përherë dëshmi e gjakut të derdhur për liri dhe e lavdisë që nuk do të zbehet kurrë.
“Po e përurojmë këtë memorial i cili do jetë përherë dëshmi e gjakut të derdhur e trimërisë e lavdisë që muk do zbehet asnjëherë. Vrellën e Istogut e nderon historia, e nderojnë këta emra të rreshtuar të UÇK-së për lirinë tonë. Ata i treguan botës se Kosova ka bijë e bija. UÇK është zemra e rezistencës tonë kombëtare”, ka thënë Osmani.
Kryetari Ilir Ferati tha se ky memorial nuk flet vetëm me emra e gurë, por me lavdi dhe zotim për të mos harruar sakrificën sublime të të rënëve.
“Ky vend sot s’flet vetëm me gurë e emra, flet me lavdi e zotim. Ky memorial është dëshmi e përjetshme se Kosova nuk u çlirua lehtësisht por me sakrificë sublime. Këtu. Po pushojnë ata që zgjodhën të jetojnë përjetësisht”, ka thënë Fetati.

Teksa, Haradinaj bëri thirrje për bashkim dhe nderim të përbashkët të të gjithë dëshmorëve, veçanërisht në ditën e Çlirimit.
“Nuk duhet të fshihemi, duhet t’i rivarrosim të gjithë këtu e sidomos në ditën e Çlirimit. Duhemi bashkë, jo të ndarë. Kemi njerëz shumë që e ruajnë lirinë tonë. Falënderoj luftëtarët e UÇK-së, ju jam mirënjohës atyre që punojnë për sigurinë tonë. S’harroj të falënderoj aleatët tonë që na ndihmuan të fitojmë lirinë por edhe sot, se sot shërbejnë për ta pasurinë lirinë tonë edhe sot”, ka thënë Haradinaj./Indeksonline/