3 filma kosovarë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Qendra Kinematografike e Kosovës po vazhdon fuqishëm prezencën e saj nëpër botë me filmat më të ri që i ka mbështetur.
Premiera botërore e filmit “Fran and Verka: or a usual day in an abandoned village” u dha në edicionin e 29-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, ku ditëve në vijim do të shfaqen edhe 1 film bashkëprodhim dhe 1 zhvillim skenari.
Përkrahur nga QKK, dokumentari i metrazhit të shkurtër shpalos tregimin e Franit dhe Verkës, një çift kroat nga Kosova, të cilët janë banorët e vetëm të fshatit Vërnakollë. Përmes dokumentimit të një dite të çiftit, dokumentari na fton të rimendojmë ndjenjat e vetmisë, përkatësisë dhe lidhjes me vendin që e quajmë shtëpi.
Regjisori Sovran Nrecaj, producentja Aurela Kadriu dhe drejtori i fotografisë Besim Ugzmajli, ishin të pranishëm në premierë, pas së cilës ju përgjigjën pyetjeve të audiencës në një sesion diskutimi.
Gjithashtu edhe filmi “Sirin” shfaqi premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë.
Filmi “Sirin” i regjisorit Senad Sahmanovic, aty ku aktorja jonë e njohur May-Linda Kosumovic luan njërin prej roleve kryesore, u dha në premierën botërore në kuadër të programit zyrtar (Open air Cinema) në Sarajevo Film Festival.
Me skenar të Claudia Bottino dhe Senad Šahmanovic, ky film është prodhim i produksioneve si: CUT UP, Sekvenca, On Film Production, BUKA, Dokument, APC.
Filmi ka për producent Velisa Popvic dhe Co-producent: Jure Pavlovic, Dritan Huqi, Fatmir Spahiu, Alem Bbaic Ines Tanovic dhe Jean-Cristophe Barret.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës,Filmski Centar Crne Gore, Havc, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe nga Fondacioni Kinematografik Sarajevo Eurimages.
Perveç këtyre edhe skenari i filmit “Lumi Na” u prezantua në Script Station si pjesë e Berlinale Talents Sarajevo në Festivalin e Filmit në Sarajevë.
Skenaristja dhe regjisorja Anita Morina është momentalisht në Festivalin e Filmit në Sarajeve si pjesë e Berlinale Talents Sarajevo që perfaqëson vendet e Evropës Juglindore.
Anita Morina është perzgjedhur në programin prestigjioz të Script Station ku po prezanton dhe zhvillon skenarin për film të gjatë “Lumi Na” me mentore nga Festivale të filmit si Venecia dhe Locarno si dhe kosulente nga Finlanda dhe Anglia.
Talents Sarajevo është rezultat i bashkëpunimit midis Festivalit të Filmit të Sarajeves dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Nën drejtimin e Berlinale Talents, programi është plotesisht i integruar në CineLink Industry Days dhe ofron një mundësi unike për profesionistët e rinj të filmit që të përmirësojnë aftësitë e tyre, të zgjerojne rrjetet e tyre dhe të ekspozohen në industritë ndërkombëtare të filmit.
Edicioni i 29-të i Festivalit të filmit në Sarajevë mbahet nga 11 deri më 18 gusht.