75 Mall Live Search
16:41 / E Premte, 01 Gusht 2025 / Gj. Sh

3 mijë e 658 lindje u realizuan në QKUK për gjashtë muaj

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë lindur 3 mijë e 658 foshnje.

Nga ky numër, sipas njoftimit të ShSKUK-së, 1 mijë e 541 lindje u realizuan me ndërhyrje kirurgjike (operacion cezarian).

Po në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit, Klinika e Obstetrike-Gjinekologjike trajtoi gjithsej 13 mijë e 789 raste. Krahas kësaj, janë kryer 2,150 operacione të tjera gjinekologjike, përfshirë trajtime të patologjive të rënda dhe tumoreve të ndërlikuara.

Njoftimi i plotë i ShSKUK-së:

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, Klinika Obstetrike-Gjinekologjike e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka vazhduar të ofrojë shërbime shëndetësore të një rëndësie të veçantë për shëndetin e gruas dhe të foshnjes, duke operuar në kushte të një mbingarkese të vazhdueshme klinike dhe profesionale.

Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 13,789 raste, përfshirë 3,658 lindje, nga të cilat 1,541 janë realizuar me ndërhyrje kirurgjikale (operacion cezarian). Krahas kësaj, janë kryer 2,150 operacione të tjera gjinekologjike, përfshirë trajtime të patologjive të rënda dhe tumoreve të ndërlikuara.

Çdo paciente që paraqitet në Klinikën e Gjinekologjisë trajtohet në mënyrë të organizuar sipas një protokolli të qartë klinik dhe etik:

Pranimi bëhet përmes Ambulancës së Pranimit 24-orësh, ku pacientet triagjohen nga personeli shëndetësor sipas gjendjes klinike.

Në Zyrën e Pranimit, pas vlerësimit të parë, pacientja orientohet në bazë të nevojës, nëse ka urgjencë obstetrike, transferohet menjëherë në sallën e lindjes ose, sipas nevojës mjekësore, në sallën e operacionit.

Pacientet që janë në faza të hershme të lindjes ose me gjendje më stabile, transferohen për mbikëqyrje në reparte, ku monitorohen nga personeli mjekësor dhe obstetër-gjinekologët.

Kur lind nevoja për ndërhyrje kirurgjikale (p.sh. lindje cezariane), shkruhet indikacioni mjekësor, thirret anesteziologu, dhe pacientja transferohet në sallën për paramjekim për përgatitje para operacionit.

Gjatë ndërhyrjes, pacientja monitorohet nga ekipi i mjekëve anesteziologë në bashkëpunim me infermierë të specializuar. Pas operacionit, pacientja qëndron në mbikëqyrje për 24 orë në Njësinë e Kujdesit Intensiv.

Foshnjat e porsalindura që kërkojnë kujdes të veçantë trajtohen nga ekipi i Neonatologjisë, që është i përfshirë në çdo lindje me rrezik të shtuar ose që kërkon mbështetje të menjëhershme.

Si institucion publik që duhet të shërbejë me përkushtim të lartë, jemi të vetëdijshëm për standardet etike dhe profesionale. Veçanërisht për ruajtjen e tyre me çdo kusht  në çdo rrethanë. Ndërveprimi me pacientët është sfida më e madhe e deontologjisë.

Në lidhje me opinionet, komentet apo debatet e ngritura kohët e fundit në opinionin publik, media dhe rrjete sociale, dëshirojmë të njoftojmë se deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë zyrtare nga pacientet në adresë të Klinikës,  as në Komisionin për shqyrtimin e ankesave të pacientëve në QKUK.

Duke respektuar plotësisht të drejtën e çdo pacienteje për të shprehur shqetësimet e saj, inkurajojmë që çdo vërejtje, shqetësim, pakënaqësi apo dëmtim të kthehet, me patjetër në ankesë zyrtare.

Duke e dokumentuar na ndihmoni që t’i evidentojmë  problemin dhe gjejmë përgjegjësit konkretë, dhe na ndihmoni të mbajnë lart nivelin etik e profesional.

Transparenca dhe llogaridhënia janë vlera thelbësore për ne. Ne duam të përmirësohemi. Ne do të përmirësohemi pa diskutim. Pas çdo ankese të ushtruar nga pacientet tona padyshim një hap përpara kryhet për klinikën edhe për pacientet e tjera që do të vinë.

Ftojmë qytetarët  të kenë besim tek vullneti i drejtuesve, mjekëve dhe infermierëve që kryejnë detyrat në sektorin publik.

Ne vlerësojmë pa masë secilin reagim të sinqertë nga pacientet, si dhe  jemi të gatshëm të adresojmë kritikat në çdo kohë.

Çdo lëshim eventual që dokumentohet, e që bie ndesh me kodin etik dhe profesional do të ndëshkohet konform legjislacionit në fuqi.