75 Mall Live Search
07:34 / E Hënë, 30 Shtator 2019 / indeksADMonline

3 modelet e bluzave që s’duhet të na mungojnë këtë sezon

Të gjithë e dimë që duke filluar nga ky muaj, nis në kryeqytetet e njohura të botës së modës; Paris, NY, Milano dhe London Fashion Week. Një nga gjërat qe pëlqej më shumë gjatë kësaj kohe, përveç koleksioneve e trendeve më të fundit, është frymëzimi që marr nga mënyra e të veshurit të çdo blogereje apo ajo e stilistëve. Këtë sezon, ajo që vura re më shumë ishte fakti që, shumë të famshëm në fushën e modës, kishin zgjedhur të visheshin me jeans apo pantallona çfarëdo, kombinuar me bluzë pak më ‘ekstravagante’. Tri më të thjeshtat dhe të preferuarat e mia, po i radhis më poshtë.

1. Puffer

Bluzat me mëngë të fryra të stilit Victorian janë, pa asnjë dyshim, trendi i vitit, që me siguri do t’i veshim përgjatë gjithë 2019-ës, të paktën. Unë një bluzë të tillë klasike, vendosa ta vesh me xhinse boyfriend për të ndërthurur stilin street style me atë klasik. Gjithashtu, edhe çantat me kashtë ishin definitivisht trend i këtij sezoni dhe pothuaj të gjitha vajzat e kishin një të tillë.

2. Bluzat me një krah

Bluzat me një krah janë shumë të dashura për mua, mendoj se nuk janë të komplikuara në menyrën se si duam t’i veshim. P.sh., unë e kam veshur me një palë pantallona lëkure të ngushta me print leopard dhe nje palë taka të ulëta me xixa, për një look pak më klasik apo për ndonjë rast. Do ta vishja edhe me një palë atlete të bardha për një ditë të zakonshme apo një pije me shoqet. Një nga gjërat që më pëlqen më shumë tek bluzat me një krah, është fakti që duken shumë bukur në një event vetem me një palë vathë të rëndë e të mëdhenj. Një bluzë e tillë nuk mund të pranojë varëse.

3. Bluzat extra

I quaj extra, sepse përtej të qenit bluza të thjeshta me një prerje të drejtë apo bazike, kanë diçka të tepërt. Psh, bluza që kam zgjedhur të vesh më sipër, ka një të lidhur në mes, gjë që e ndryshon komplet mënyrën sesi do ta vishja nëse do të ishte thjesht një bluzë e zezë me mëngë të gjata. Bluza të tilla, janë ato që na tregojnë të dukemi më të veshura në një event, pa e tepruar në faktorët e tjerë (pantallonat, fundin etj.). Ahh po, mos harroni aksesorët (do të sugjeroja vathët).