3 muaj nga vrasja e Selamiut dhe Edmondit/ Paralajmëroi dorëzimin, Mefail Shkodra me dy djemtë ende në arrati
Janë bërë 3 muaj që kur nga jeta u privuan babë e bir nga Gjilani.
Selami dhe Edmond Hasani u qëlluan për vdekje më 10 gusht të këtij viti, dhe për këtë akt të kryer në kërkim nga organet e rendit janë Mefail Shkodra me dy djemtë e tij.

Ditë më parë, Mefaili, po ashtu banor i Gjilanit është lajmëruar përmes një videomesazhi, ku ka folur për gjithë ngjarjen që tronditi vendin, shkruan IndeksOnline.
Pas 3 muajsh arrati, Shkodra është zotuar se do të dorëzohet në polici, në momentin që këta të fundit të trajtojnë rastin, siç ka thënë ai me policët e korruptuar.
“Do të dorëzohemi për ta vuajtur dënimin për atë që kemi bërë, në momentin që policia do të merret me policët e korruptuar”, deklaroi ai.

Megjithatë, edhe pse ka kaluar një javë, të dyshuarit për këtë rast ende nuk kanë marrë guximin të dorëzohen para organeve të rendit.
Nga ana tjetër, pavarësisht kërkimeve të Policisë së Kosovës, të dyshuarit ende nuk janë lokalizuar e as arrestuar
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se për kapjen e Shkodrës dhe dy djemve të tij janë ndërmarrë hapa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.
Sipas prokurorit të rastit, Mefail Shkodra ka precedent penal prej më shumë se 30 veprash, duke përfshirë sulm, prishje të rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh dhe detyrim, si edhe pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal./IndeksOnline/

