16:17 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020

3 zakone të njerëzve të suksseshëm!

Arianna Huffington, Elon Musk, Jeff Bezos, Warren Buffet, Oprah Winfrey e kanë dëshmuar që me punë dhe disiplinë arrihet çdo gjë. Ata kanë dhënë maksimumin prej vetës për të arritur aty ku kanë synuar.

Të mësuarit për të qenë produktiv nuk është operacioni i trurit. Ju nuk keni nevojë për njëzet libra dhe një telefon plot me aplikacione. Ju thjesht keni nevojë për një qasje me kuptim të përbashkët dhe pak vetë disiplinë.

Produktiviteti ka të bëjë me menaxhimin e kohës. Nëse mund të krijoni një orar dhe ta respektoni, ju vërtetë mund të jeni produktiv.

“Sekreti për të shkuar përpara është nisja” – Mark Twain

Por si të bëheni produktiv edhe ju?

Unik sjell  tri këshilla, që vijnë nga njerëzit më të suksesshëm të botës.

1.Menaxhimi i kohës që e kaloni në internet:

Ju nuk mund të jeni produktiv duke humbur kohë për aktivitete të pakuptimta. Interneti është pikërisht kjo gjë, humbje kohë. Llogaritë e shumta në internet, si Facebook, Twiter, Instagram dhe shumë të tjerë, vetëm ua shpenzojnë kohën dhe nuk ju ndihmojnë të ecni më tutje. Përdorimi i tepër i teknologjisë po i bën njerëzit dembel dhe po ua humbë mundësinë për të ecur përpara.Në një studim të vitit 2018 nga Nielsen, një kompani hulumtuese dhe analitike e medies, dëshmon se mesatarisht amerikanët kalojnë 11 orë e 6 minuta, duke shikuar, lexuar ose përgjithësisht duke bashkëvepruar me mediet sociale. Dhe,është për tu habitur, se si njerëzit ankohen se nuk kanë kohë të mjaftueshme.

Njerëzit e suksesshëm e bëjnë vetëm një punë!

Në këtë kohë kur jemi të vërshuar nga informacionet dhe mundësitë për ndërveprim në komunikim, është tepër e vështirë fokusimi në vetëm një gjë. Megjithatë, ju duhet të provoni ta mësoni këtë shprehi, të cilën e përdorin njerëzit që tashmë kanë mbërri majat e suksesit.

Kur filloni ta bëni një punë, përfundojeni atë, dhe mos u merrni me asgjë tjetër përgjatë kësaj kohe. Kur ju provoni të bëni shumë punë për njëherë, ju do të keni shumë stres dhe do të jeni më pak produktiv.Psikologët që studiojnë se çfarë ndodhë me njohjen (proceset mendore), kur njerëzit përpiqen të kryejnë më shumë se një detyrë në një kohë, kanë gjetur se mendja dhe truri nuk janë të dizajnuara për shumë punë në të njëjtën kohë. Psikologët e krahasojnë punën me koreografinë ose kontrollin e trafikut ajror, duke vënë në dukje se në këto operacione, si në të tjera, mbingarkesa mendore mund të rezultojë në katastrofë .

Bëni pushime të rregullta

Nuk  e kemi fjalën për pushime jashtë vendit, ose pushime sezonale, sepse ato gjithsesi duhet të jenë pjesë e jetës së secilit person, por fjala është për pushime të shkurtra brenda orarit të punës, duke i dhënë vetës rast të bëni një pauzë 10 minuteshe, të hani një pemë apo të shijoni një lëng të freskët natyral. Nëse nuk keni etje apo uri, atëherë këta minuta shfrytëzoni për një shëtitje dhe relaks të muskujve. Kështu do të ndiheni më të lehtësuar për të vazhduar punën edhe për dy tri orë të tjera, dhe sigurisht të bëni punë efektive.