21:07 / E Diele, 22 Janar 2023 / GF

30 të burgosura politike kërkojnë ndalimin e ekzekutimeve, mes tyre edhe vajza e ish-presidentit iranian

Tridhjetë të burgosura politike iraniane, përfshirë studiuesen franko-iraniane Fariba Adelkhah dhe vajzën e ish-presidentit Hashemi Rafsanjani, kanë nënshkruar një apel duke bërë thirrje për t’i dhënë fund ekzekutimeve të protestuesve.

“Ne, të burgosurat politike dhe ideologjike të repartit të grave të burgut Evin (Teheran), kërkojmë që t’i jepet fund ekzekutimeve të protestuesve dhe t’u jepet fund dënimeve të padrejta të dhëna ndaj të burgosurve në Iran”, thuhet në deklaratën e tyre të publikuar nga AFP.

“Cilat qofshin bindjet tona fetare dhe politike dhe origjina jonë, të gjithë jemi dënuar me 124 vjet burgim në total, pas procedurave të padrejta dhe jo transparente. Kjo është e barabartë me disa breza të jetës njerëzore”.

Përveç Fariba Adelkhah, e arrestuar në qershor 2019 dhe më pas e dënuar me pesë vjet burg për cenim të sigurisë kombëtare, dhe Faezeh Hashemi, e dënuar në janar me 5 vjet burg për kritikë ndaj regjimit, kanë firmosur edhe gjermano-iraniania Nahid Taghavi, aktiviste për të drejtat e grave e dënuar me 10 vjet burg në vitin 2021 dhe Niloufar Bayani, aktiviste mjedisore, e dënuar në 2020 me dhjetë vjet burg për spiunazh.

Sipas OJQ-së norvegjeze Iran Human Rights, të paktën 481 persona janë vrarë dhe të paktën 109 persona janë në rrezik të ekzekutimit në lidhje me protestat, përveç katër të varurve tashmë. Teherani pranon qindra të vdekur, duke përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë. OKB-ja numëroi gjithashtu 14,000 arrestime në katër muaj protesta që filluan në mes të shtatorit pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, pas arrestimit të saj nga policia për shkelje të kodit të veshjes.