75 Mall Live Search
12:40 / E Premte, 11 Korrik 2025 / H F

30 vjet nga gjenocidi: Boshnjakët nderojnë viktimat e Srebrenicës mes plagëve ende të hapura

Mijëra boshnjakë janë mbledhur të premten në varrezat pranë Srebrenicës për të përkujtuar 30-vjetorin e masakrës së vitit 1995, ku mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat serbe të Bosnjës më 11-12 korrik 1995.

Ky përkujtim shënon një nga krimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ku rreth 1,000 viktima mbeten ende të pazbuluara, ndërsa shumë familje kanë zgjedhur të varrosin edhe vetëm disa kocka, për t’i dhënë të afërmve një vend pushimi të denjë.

Dihet se përgjegjësit kryesorë të masakrës, gjenerali Ratko Mlladiç dhe udhëheqësi politik serb Radovan Karaxhiç, janë dënuar për gjenocid nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Reuters raporton se si pjesë e përkujtimit të këtij viti, rreth 7,000 persona morën pjesë në Marshin e Paqes, një udhëtim tre-ditor prej 100 kilometrash në drejtim të kundërt të rrugës që ndoqën burrat boshnjakë për t’i shpëtuar vdekjes.

Dy gjykata ndërkombëtare kanë vendosur se ngjarjet në Srebrenicë përbëjnë gjenocid, por udhëheqësit serbë në Bosnjë dhe në Serbi ende kundërshtojnë këtë term, numrin e viktimave dhe versionin zyrtar të ngjarjeve. Kujtojmë edhe se, ky mohim vazhdon të ushqejë ndarjet politike dhe pengon integrimin e Bosnjës drejt Bashkimit Evropian.

Vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, duke nxitur organizimin e përkujtimoreve zyrtare në shumë vende të botës.

“Kjo nuk mund të harrohet kurrë. Kush mund të thotë se kjo nuk ishte gjenocid? Vetëm dikush pa shpirt,” thotë Sabaheta për Reuters, një nga të mbijetuarat e masakrës.

Kujtojmë se, Masakra e Srebrenicës, e njohur ndërkombëtarisht si akt gjenocidi, ndodhi në një zonë që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga OKB-ja dhe ishte e mbrojtur nga një kontigjent holandez prej 370 trupash paqeruajtëse, të cilët dështuan ta parandalonin masakrën.

Edhe pse më pas, SHBA dhe NATO reaguan me sulme ajrore për të frenuar më tej përshkallëzimin e konfliktit, raporti i Human Rights Watch i vitit 1999 kritikoi vonesat dhe dështimet e forcave ndërkombëtare, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mbrojtjes humanitare perëndimore.