300 punonjës shëndetësorë të Kosovës kanë marrë vaksinat në Shqipëri

Rreth 300 punonjës shëndetësorë të Kosovës kanë marrë vaksinat antiCOVID në Shqipëri.
Procesi i vaksinimit pritet të përfundojë këtë të shtunë. Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, kryetari i Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.
“Procesi i vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë është duke shkuar mirë. 300 punonjës janë vaksinuar deri sot dhe të shtunën do të mbyllet ky cikël. Për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë ankesë deri tani. Mirëpo fat i keq është se ka kërkesa të mëdha për vaksinim, por ne i kemi mundësitë e limituara”, ka thënë Syla.
Syla tha se shpreson që ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të kontaktojë me Republikën e Shqipërisë dhe të vazhdojë procesi i vaksinimit të punonjësve shëndetësorë.
“Por shpresojmë se ministri i ri Shëndetësisë të vërë kontakt me Republikën e Shqipërisë dhe të vazhdojnë këtë proces që e kemi nisur ne si federatë. Më tepër se 500 vaksina nuk kanë mundur as ata të siguronin, kërkesat janë shumë në rritje”, u shpreh ai.
Syla tha se në përgjithësi punonjësit që kanë marrë këto vaksina kanë kaluar mirë dhe me ankesa që janë normale.
Shqipëria kishte siguruar 500 vaksina për COVIDIN-19 për punonjësit shëndetësorë të Kosovës. Vaksinimi kishte filluar javën e kaluar dhe punonjësit kanë marrë vaksinat në Kukës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte deklaruar se vaksinimi duhet të bëhet në Kukës, pasi kompania që ka prodhuar ato vaksina nuk lejon që ato të dalin jashtë shtetit.
“Ne nuk do t’u lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje, sepse në fund të fundit jemi një. Edhe fakti që bëhet në Kukës lidhet me atë që kompanitë nuk lejojnë nxjerrjen e dozave jashtë. Kukësi është dhe i Shqipërisë dhe i Kosovës”, kishte deklaruar Rama.
Ndërkohë, në Kosovë ende nuk kanë arritur vaksinat antiCOVID megjithëse është thënë se tashmë kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për sigurimin e tyre.
Numri i rasteve me COVID-19 vazhdon të rritet në Kosovë, ku vetëm në 24- orët e fundit janë konfirmuar 781 raste të reja, kurse numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 803.