14:10 / E Mërkurë, 15 Korrik 2020 / indeksADMonline

31 pacientë me Covid-19 në Spitalin e Prizrenit, 31 të tjerë po i presin rezultatet e testimit

Në Spitalin Rajonal të Prizrenit deri në këto momente të janë të shtruar 64 pacientë, ku prej tyre pozitivë me COVID-19 janë 31 pacientë, ndërsa 33 persona të tjerë janë në pritje të rezultatit të testit, por edhe në procedura të testimit.

Në gjendje të rënduar dhe të intubuar janë dy persona, të cilët kanë simptoma të koronavirusit, por që ende nuk dihet se a janë të infektuar apo jo pasi që rezultatet e testimit të tyre ende nuk janë bërë të ditura.

Kështu ka deklaruar drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj i cili tha se edhe 28 të infektuar që po trajtohen në këtë institucion shëndetësor janë me oksigjenoterapi.

Avdaj tha se nga pacientët e infektuar me COVID-19 ka të moshave të ndryshme, por numri më i madh është i atyre mbi moshën 60-vjeçare.

“Aktualisht i kemi 64 pacientë të hospitalizuar me shenja klinike për COVID-19 pozitiv nga këta 31 janë të konfirmuar me COVID-19 pozitivë, 33 raste janë me shenja klinike të cilëve u janë marrë testet apo janë në pritje të marrjes së testimeve dhe janë akoma në pritje të marrjes së testimeve por që janë me shenja klinike për COVID-19. Nga këta dy i kemi në gjendje të rënduar janë nën ventilimin mekanik janë të intubuar, dhe 28 nga ta janë me oksigjenoterapi…. këta dy pacientë e intubuar nën ventilimin mekanik janë edhe me sëmundje të tjera shoqëruese por fatkeqësisht nga këta dy pacientë nuk i kemi ende rezultatet dhe jemi duke i trajtuar si COVID-19.. nuk janë të konfirmuar ua kemi marrë mostrat për testim dhe ende nuk i kemi marr rezultatet”, tha ai.

Avdaj thotë se edhe dy mjekë dhe një infermiere janë ta infektuar me COVID-19, ndërsa dy mjekë të tjerë dhe katër infermiere janë në vetizolim.

“Aktualisht i kam dy mjekë të shtruar dhe dy mjekë të tjerë që janë në vetizolim, fatmirësisht këta dy të fundit janë pa shenja klinike. Nga stafi infermier e kam një infermiere që është në shtruar, duke u trajtuar dhe 4 të tjerë në vetizolim… njëri nga ta është i shtruar në Repartin Infektiv te ne. Tjetri ka qenë i shtruar te ne, por dhe për shkak të problemeve të tjera është rikthyer në trajtim dhe aktualisht ndodhet në QKUK në Klinikën Infektive”, theksoi ai.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit foli edhe rreth kapaciteteve të këtij spitalit.

“I kemi 33 shtretër të ndarë për pacientët me Covid-19 në Infektiv. 43 shtretër të tjerë janë gjithashtu të dedikuar për këta pacientë që janë në Pulmologji dhe 20 shtretër të tjerë të pajisura për okaigjenoterapi janë në Neurologji. Kemi kapacitet rreth 94 shtretër që jemi duke funksionuar aktualisht… I kemi në dispozicion edhe 14 shtretër të tjerë në një hapësirë të rinovuar në donacion dhe rreth 74 shtretër të tjerë të dedikuar për këta pacientë”, deklaroi Avdaj.

Avdaj tregoi se gjatë ditës së sotme nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja janë pajisur me 8 respiratorë të rinj dhe 14 shtretër.

“Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja na kanë pajisur me tetë respiratorë të rinj dhe ky është lajm i mirë që na bënë të fuqishëm dhe ndjehemi më të relaksuar dhe potencialin prej 11 anesteziologëve që e kemi si spital ta kemi në shërbim të këtyre pacientëve… aktualisht kemi 5 infektologë, kemi 11 anesteziologë , kemi 7 pulmologë dhe 18 specialistë të tjerë të sëmundjeve të brendshme kemi edhe neurologë”, tha ai.