314 qytetarë të karantinuar në QS, 14 lirohen, 26 të tjerë pritet të vendosen sot

Katërmbëdhjetë personat që janë testuar dje dhe që kanë dal negative, sot janë liruar nga karantina në Prishtinë, ndërkohë, sot pritet që të bëhet kthimi edhe i rreth 26 personave që udhëtojnë nga Çekia dhe Polonia dhe të cilët do të vendosen për 14 ditë në karantinë në konviktet e Qendrës Studentore në Prishtinë.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta thotë se në këtë Qendër e Studentëve aktualisht janë të karantinuar 314 persona dhe ka hapësirë edhe për 200 persona të tjerë.
“Për momentin i kemi 314 persona që janë të vendosur në Qendrën e Studentëve si karantinë…Po kemi hapësirë përafërsisht edhe për 200 persona tjerë që të vendosen në Qendrën e Studentëve. Këto dy kontingjentet e fundit që kanë ardhur njëri nga Zvicra e njëri nga Turqia fatmirësisht për ata dhe për ne për kapacitet shumë prej tyre janë liruar me vendime të mjekëve sepse shumica prej tyre kanë qenë në tretman mjekësor nëpër ato vende dhe janë liruar pa u vendosur fare në karantinë dhe kështu që kemi përfituar vende për të ardhurit eventual që mund të vijnë tash e tutje”, tha Sfishta.
Kësaj qendër pritet që sot t’i bashkohen edhe rreth 26 persona të cilët vinë nga Çekia dhe Polonia.
“Sot pritet që të vijë një kontingjente i vogël diku 25 apo 26 persona që vinë nga shteti i Çekisë dhe i Polonisë, gjatë orëve të pasdites pritet që të vinë në Qendrën e Studentëve”, theksoi ai.
Drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta thotë se sot nga karantina janë liruar 14 persona pasi që pas testimeve kanë dal negativ.
“Gjendja e tyre është e mirë ata kanë kontrollet periodike nga mjekët, kanë kontrolle edhe të veçanta edhe në rast se thërrasin në numrat e telefonit. Dhe gjendja e këtyre të karantinuarve në përgjithësi është e mirë dhe janë të qetë….Çdo ditë lirohen ata që kanë ardhur para 14 ditëve. Sot për shembull janë liruar 14 veta sepse kanë ardhur në një datë dhe i kanë përmbushur numrit prej 14 ditëve. Sot janë testuar disa dhe fatmirësisht po dalin negativ do të lirohen nesër”, deklaroi Sfishta.
Sipas Sfishtës ka mjaftueshëm ushqime dhe pajisje mbrojtëse.
“Ushqimet pajisjet teknike e këto tjera i kemi pasi kemi kontrata afatgjate për furnizim të studentët që i kemi si mision. Kurse, pajisjet mbrojtëse, doreza, maska i sigurojmë nga ministria e Shëndetësisë…Për momentin kemi mjaftueshëm si për staf si për vullnetar si për mjek ka rroba mbrojtëse mjaftueshëm”, tha ai.
Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme nga Turqia janë vendosur në Qendrën Studentore në Prishtinë edhe 120 qytetarë të cilët atje kanë qenë për trajtim shëndetësor.