35 ditë xhirime, një arritje e madhe, Adriana Matoshi tregon eksperiencën e vajzave të saj në filmin ‘Dua’
Aktorja e njohur Adriana Matoshi ka ndarë emocionet e saj pas përfundimit të xhirimeve të filmit “Dua”, ku dy vajzat e saj, Pinea dhe Kaona, janë pjesë e kastës.
Për Indeksonline ajo thotë se ndihet shumë e lumtur dhe krenare, duke theksuar se nuk ua ka imponuar asnjërës rrugën e aktrimit, por talenti i tyre “si duket ka ardhë i lindur”.

Adriana theksoi se filmi është realizuar nga një ekip profesionistësh në bashkëpunim me shtete dhe produksione të mëdha.
Ajo shton se pret shumë sukses, sepse e di “me sa përkushtim të madh dhe me dashni është punu aty”.
Xhirimet kanë zgjatur 35 ditë, pa përfshirë provat e kostumeve, grimit dhe punën paraprake. Adriana tregon se kjo periudhë e ka ndryshuar dukshëm Pinean:
“Ky film Pinean e ka rritë edhe fizikisht, po mendërisht shumë ma shumë. Për 35 ditë në shpi m’u ka kthy një fëmijë i rritun.”
Ajo shton se si nënë e ka gëzuar fakti që Pinea ka kuptuar sa e vështirë është të jesh aktore, por edhe sa e vështirë është të jesh shtylla e familjes.

Ndërsa për Kaonën, Adriana tregon se ajo ka vazhduar menjëherë me projektin e radhës:
“E Kaona menjeherë të nesërmen sa ka mbaru xhirimet këtu, ka vazhdu në Shqipëri me një film tjetër.”

Adriana për fund shpreh krenarinë për vajzat dhe besimin në rrugën që ato kanë zgjedhur./Indeksonline/


