377 raste të vjedhjes të pyjeve në sezonin e vjeshtës në Kosovë
Janë shënuar 377 raste të vjedhjes së pyjeve në sezonin e vjeshtës në Kosovë. Agjencia Pyjore e Kosovës thotë se gjykatat nuk po merren me shqyrtimin e lëndëve as 10 për qind. Komunat nuk po mbrojnë pyjet në pjesët e territorit të tyre.
Stina e vjeshtës është stina më problematike për sektorin e pylltarisë, dhe kërkesat e qytetarëve për t’u ngrohur me dru bëjnë që shumë pyje të shkatërrohen gjatë kësaj stine, thotë drejtori për Menaxhim me Pyje, Faruk Bojaxhiu.
Bojaxhiu tha se problemi i mbrojtjes së pyjeve vazhdon të jetë problem në Kosovë.
“Komunat janë përgjegjëse për t’i mbrojtur pyjet në pjesët e territorit të tyre, por shumica e komunave nuk janë duke e kryer punën si duhet. Kemi problem me gjykata, do të thotë me shqyrtimin e lëndëve gjatë viteve, pothuajse 6 mijë deri në 7 mijë fletëparaqitje ngritën çdo vit prej autoriteteve komunale por gjykata nuk arrin as 10% të këtyre lëndëve t’i zgjidhë pozitivisht, Kështu që ka stimulim për shkatërrime”, tha Bojaxhiu.
Prokuroria e Shtetit i ka thënë Radio Kosovës në një përgjigje me email se” Prokurori i Shtetit i trajton të gjitha rastet që i drejtohen me kallëzim penal, e në mesin e tyre trajton edhe veprat penale që sanksionohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 357 “shkatërrimi i pyjeve” dhe neni 358 “vjedhja e pyllit, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës po i trajton në bazë të rregullave dhe procedurave ligjore rastet e shkatërrimit të pyjeve apo prerjeve ilegale. Hoxha tha se është një numër i konsiderueshëm i rasteve të vjedhjes së pyjeve.
Sipas statistikave, kemi të evidentuara 377 raste vjedhje të pyllit, ndërsa shkatërrim të pyjeve një rast. Këtu përfshihen edhe rastet në tentativë apo rastet kur policia has në persona që janë qoftë duke kryer veprën apo edhe duke transportuar sasinë drusore që kanë prerë. Raste të tilla u dërgohen zyrtarëve kompetentë të agjencisë pyjore, që vazhdojnë me procedime të mëtejmë.
Policia ka arritur të parandalojë dhe identifikojë një numër të kryesve të këtyre rasteve. Policia ka arrestuar edhe disa persona që kanë bërë prerjen ilegale të drunjve.