“4 fantastikët”, në Katalonjë i tremben historisë së 2007-ës
Barcelona ka vendosur që të bëjë bashkë këtë sezon një nga sulmet më të frikshme të historisë së futbollit. Bartomeu po punon për të transferuar te katalanasit dy yjet botërorë, si Antoine Grizemann dhe Neymar, të cilët do t’i bashkoheshin Lionel Messit dhe Luis Suarezit.
Në këtë mënyrë, Ernesto Valverde do të kishte një “poker” të frikshëm dhe “4 fantastikë” për të arritur objektivat. Problemi i vetëm qëndron te fakti nëse do të mund të luanin dot të katërt. Historia ka treguar që jo dhe këtë histori e njohin më mirë në “Camp Nou” se në çdo vend tjetër.
Sepse, në sezonin 2007-2008, Laporta formoi një katërshe të ngjashme. Ai transferoi Henryn nga Arsenali, ndërkohë që Rajkard kishte në skuadrën e tij REM: Ronaldinho, Etoo, Messi (ishte vetëm 20 vjeç).
Këta sulmues u pagëzuan si “4 fantastikët” dhe tifozët nisën të ëndërronin se do të zbrisnin të katërt në fushën e lojës. Por kjo mbeti vetëm një ëndërr, sepse ata luajtën shuma pak së bashku, për arsye nga më të ndryshmet.
Nga 58 ndeshjet që kishte Barcelona në atë sezon, vetëm në katër prej tyre ishin të gatshëm dhe Rajkard vendosi që të mos i zbrite të gjithë. Në javën e parë kundër Racingut Henry zëvendësoi Messin, ndërsa kundër Atleticos Leo Messi zëvendësoi Henryn.
Në dy ndeshjet e tjera, Etoo zëvendësoi Ronaldinhon dhe në atë të kthimit Henry zëvendësoi Messin gjatë ndeshjes. Dëmtimet e shumta kushtëzuan këta lojtarë që të luanin të gjithë së bashku, por edhe atëherë kur ishin të gatshëm nuk u preferuan nga trajneri.
Etoo u dëmtua që në ndeshjen e parë miqësore në trofeun “Gamper” dhe qëndroi jashtë fushave të lojës për 3 muaj. Në momentin kur u kthye Eto, Messi pësoi një dëmtim dhe kur Messi u kthye, kamenurasi iku në Kupën e Afrikës. Pastaj Ronaldinho pati të njëjtin fat si shokët e tij dhe mungoi disa ndeshje. Treshja më e përdorur në atë kohë ishte Messi-Henry-Ronaldinho (13 ndeshje), e ndjekur nga Henry-Messi-Etoo (7 ndeshje) dhe Ronaldinho-Etoo-Messi (3 ndeshje). Dëmtimet bënë që Henry dhe Etoo të ishin të vetëm në sulm në 10 ndeshje, ndërsa Henry dhe Leo në 9 ndeshje.
Pyetja është: Si do t’i kishte menaxhuar Rajkard këta futbollistë, nëse do të ishin të gjithë të gatshëm? Në atë kohë kishte shumë zëra që e kundërshtuan këtë gjë. Legjenda Johan Croyf nuk ishte aspak dakord dhe e kishte shprehur mendimin e tij. “Janë katër lojtarë për 3 vende.
Do të jetë shumë e vështirë për të mbajtur ekuilibrin, edhe pse me Kupën e Afrikës, dëmtimet dhe kartonët dikush do të zhduket”, pati thënë ai përpara fillimit të atij sezoni. Vetë Henry e pranoi këtë gjë, kur u pyet: “Kush dëshiron të shikojë ‘4 fantastikët’, atëherë bën mirë të shkojë në kinema”. Të paktën kishin mundësinë që t’i shihnin nëpër stërvitje.