4 mijë euro gjobë kryetarit të Fushë-Kosovës

Agjencia për Informim dhe Privatësi, sot i ka shqiptuar gjobë Komunës së Fushë-Kosovës, konkretisht kryetarit Burim Berisha në vlerë prej 4.000 euro kjo për kufizim të qasjes në dokumente publike.
Kështu ka njoftuar përmes një shkrimi në “Facebook”, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Vlonjat Hasani.
Indeksonline ka provuar të kontaktojë me kryetarin, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigur thirrjeve telefonike.
Ndërsa, asamblisti Hasani ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike për një konkurs në Arsim, por komuna nuk ia ka ofruar qasjen.
Ai thotë se komuna e Fushë-Kosovës i prin listës së “komunave dembele duke mos bërë pothuajse asnjë punë për qytetarët, realizimin e investimeve kapitale e ka bërë vetëm 26%, ‘nepotizmi’ dhe punësimi në institucione publike ndodh vetëm nëse i ‘përmbushë egot politike të subjektit që e udhëheqë Komunën!’”
Për të mos mjaftuar kjo, sipas Hasani, “ata vazhdojnë të shkelin ligje, të thyejnë rregulla e rregullore, e të mohojnë qasje në dokumentet publike për qytetarët…”.
“Krejt kjo për t’i pamundësuar opinionit informimin për punët e dyshimta dhe të dëmshme që ata i bëjnë…!!! Agjencia për Informim dhe Privatësi, sot i ka shqiptuar gjobë Komunës, konkretisht Kryetarit Burim Berisha në vlerë prej 4.000€ për kufizim të qasjes në dokumente publike për kërkesat që i kam drejtuar Komunës”, potencoi asamblisti Vlonjat Hasani.