15:50 / E Premte, 03 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

4 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për ish-drejtorin e Policisë për rajonin e veriut për mosraportim të saktë të pasurisë

Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë dhe 4 muaj burgim me kusht, për akuzën se nuk e deklaroi saktë pasurinë për vitin 2020. Të njëjtit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Aktgjykimi ndaj Gjuriq u shpall të premten, nga gjyqtari i rastit, Xhemajl Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjuriq ngarkohej se nuk ka paraqitur saktë në Agjencionin kundër Korrupsionit (AKK) të hyrat për periudhën 1 janar- 31 dhjetor 2020, duke deklaruar se gjatë 2020-ës ka realizuar të ardhura neto prej 14 mijë e 760 euro, edhe pse i njëjti kishte realizuar të ardhura neto 19 mijë e 342 euro e 1 cent, me çka i njëjti ka deklaruar 4 mijë e 582 euro e 15 centë, më pak.

Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajsh, nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.