13:38 / E Premte, 24 Janar 2020 / indeksADMonline

4 muaj pasi vdekjes së policit nga Istogu, familja neglizhohet nga shteti për obduksionin

Janë bërë 4 muaj nga vdekja fatale e policit, Halil Metaj. I ndjeri kishte vdekur dy ditë pasi që ishte aksidentuar në fshatin Shushicë të Istogut.

Halil Metaj, pas aksidentit ishte dërguar në Spitalin e Pejës në gjendje jo aq të rëndë shëndetësore. Me disa lëndime të lehta, të jashtme, policit të ndjerë i janë bërë disa kontrolle në Spitalin e Pejës.

Pasi kishte bërë disa incizime, Metaj ishte liruar nga spitali, duke i thënë se gjendja e tij është stabile. Pas lirimit nga spitali, ishte dërguar në shtëpinë e tij në fshatin Shushicë.

Natën e së hënës vonë, Metaj ishte ankuar te familjarët se kishte dhimbje të vazhdueshme në gjoks. Për këtë, ai kishte kërkuar që të dërgohej në spital.

Rreth orës 03:00 të mëngjesit, Halil Metaj është dërguar në Spitalin e Istogut nga djali i tij. Pasi kishte marrë një infuzion dhe disa ilaçe për qetësim, ai ishte kthyer në shtëpinë e tij.

Por, duke mos e ndier veten aspak mirë me shëndetin, polici i ndjerë i kishte kërkuar djalit të tij që ta dërgonte në Spitalin e Pejës dhe të mos futej fare në shtëpi.

Metaj ishte nisur për në Spitalin e Pejës në orët e para të mëngjesit të së martës. Kur ishte afër arritjes në spital, gjendja e tij kishte filluar të përkeqësohej, shkruan Indeksonline.

Madje, me t’u pranuar në Qendrën emergjente në Pejë, gjendja e Halil Metajt ishte përkeqësuar në masë të madhe. Këto ishin minutat e fundit të jetës së tij pasi që mjekët nuk kishin arritur ta mbanin në jetë 49- vjeçarin nga Istogu.
Duke u cilësuar si vdekje e dyshimtë, prokurori i rastit kishte vendosur që të ndjerit t’i bëhej obduksioni.

Por, edhe 4 muaj pasi i është bërë obduksioni, familja nuk ka marrë asnjë përgjigje rreth rezultateteve mjekoligjore.

Vëllai i policit, Xhevdet Metaj, ka shfaqur zhgënjimin e madh ndaj institucioneve, të cilat që disa muaj s’e përfillin kërkesën e familjes për marrjen e rezultateve.

Pavarësisht se vazhdimisht i ështe thënë se shpejt do të dilnin, në familjen Metaj ende nuk ka asnjë informacion se nga çfarë është shkaktuar vdekja e familjarit të tyre.

Ata janë të bindur se Halil Metaj nuk kishte vdekje natyrale, por ishte si pasojë e aksidentit.

Xhevdet Metaj për Indeksonline jep rrëfimin e tij rreth këtij rasti./Indeksonline/