14:05 / E Hënë, 02 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

4 vjet burgim, kosovarit që ishte pjesë e ISIS-sit

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit Agon Misini për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 136 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari Agon Misini është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh, e që në dënimin e shqiptuar i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 20.04.2019  e tutje.

Të akuzuarit me aktvendim të veçantë i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

I akuzuari Misini është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pasi që fillimisht më 24.07.2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vend kalimit kufitar Hani i Elezit kishte shkuar në territorine Republikës së Maqedonisë ku kishte kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS.

Pastaj në kohë të pa vërtetuar të muajit gusht 2015 me pasaportë të falsifikuar kishte udhëtuar nga Shkupi për në Stamboll dhe pastaj kishte depërtuar në kufi të shtetit të Sirisë dhe me të arritur në Siri i ishte bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Më pas, pas trajnimeve taktike dhe luftarake kishte marrë pjesë aktivë në luftërat e Sirisë ku edhe më 26.07.2017 është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19.04.2019, me ç’ rast edhe është kthyer në Kosovë.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.